TIRANË- Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) shprehu sot me anë të një deklarate për shtyp mirënjohjen, mbështetjen dhe shërim të shpejtë për shefin e krimeve, në organet e policisë së Burelit, Z. Musa Skura, i cili u plagos rëndë gjatë aksionit të policisë për kapjen e disa keqbërësve, që zhvillonin veprimtarinë kriminale të tregtimit të armëve.
KShH, duke mbështetur aksionin e policisë, që shërben për ndalimin e kryerjes së një vepre kriminale tepër të rrezikshme dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të autorëve të saj, shpreh, njëkohësisht, shqetësim të madh për shëndetin dhe jetën e z. Skura dhe i uron atij shërim të shpejtë.
“Plagosja e rëndë e z. Musa Skura ndodhi në krye të detyrës, prandaj u kërkojmë të gjitha strukturave të shtetit, që në përputhje me kompetencat që kanë, të marrin të gjitha masat e duhura, për kurimin e shpejtë dhe cilësor të tij. Kurimi i përshtatshëm është e drejtë e çdo shtetasi, por kurimi i personave që dëmtojnë shëndetin në krye e sipër të detyrës, duhet të jetë një detyrim parësor i shtetit. Në këtë kuadër vlerësojmë angazhimin personal të Ministrit të Brendshëm për të mundësuar mjekimin e z. Skura në një spital të Italisë, ku shpresojmë se ai do të marrë gjithë shërbimet shëndetësore për të cilat ka nevojë”, vijon deklarata e KShH.
Z. Musa Skura,, vijon KShH, “me funksione të larta në Policinë e Shtetit, u plagos në mbrojtje të ligjit dhe interesave të vendit, në luftë kundër kriminalitetit dhe për kapjen e autorëve të krimit, që duan t’i fshihen drejtësisë. Ky është një shërbim i madh që i bëhet vendit dhe gjithë shtetasve, sepse lufta kundër kriminalitetit dhe atij të organizuar, në veçanti, rrit sigurinë në vend, u garanton shtetasve qetësinë e nevojshme për të zhvilluar të qetë jetën e tyre, krijon kushte më të mira për zhvillimin ekonomik të vendit dhe rrit mundësitë për një integrim, sa më të shpejtë, në BE. Lufta kundër kriminalitetit merr një rëndësi të veçantë këtë vit, kur vendit i duhet të zgjedhë përfaqësuesit e tij në Kuvendin e Shqipërisë, dhe për pasojë qetësia publike përbën një kusht të rëndësishëm për zgjedhje të lira e të drejta”.
Sipas KShH, “punonjësit e policisë, shpesh herë, gjatë plotësimit të detyrave të tyre, kanë vënë në rrezik jetën ose shëndetin, në mbrojtje të rendit kushtetues, të ligjit dhe të drejtave të shtetasve. Ne ju jemi atyre mirënjohës për këtë sakrificë dhe i inkurajojmë, duke ju bërë, njëkohësisht, thirrje të gjithë shtetasve t’i ndihmojmë dhe t’i mbështetim ata në këtë mision të rëndësishëm dhe të domosdoshëm për një shoqëri demokratike. Shteti ka për detyrë të pajisë policinë me mjetet e duhura dhe të rritë, në mënyrë të vazhdueshme, kapacitetet e tyre profesionale për kryerjen e detyrës”.
KShH thekson se zbulimi, hetimi dhe gjykimi i shpejtë i autorëve të këtij krimi të dyfishtë, plagosje e rëndë të oficerit të policisë në krye të detyrës dhe tregtimin e armëve, do të shërbente për ndëshkimin e fajtorëve, vënien në vend të ligjit të shkelur, parandalimin e krimeve të tjera të kësaj natyre, si dhe do të rriste motivimin e organeve të policisë dhe të mbarë shtetasve për të luftuar, pa rezerva, kriminalitetin, si dhe për respektimin e shtetit të së drejtës.





