Deputeti grek i partisë Demokracia e Re, Jani Mihelakis,i ka drejtuar një letër ministrit të Arsimt në lidhje me rrezikun e mbylljes së shkollës greke “Omiros” në Korçë.
Në këtë letër Mihelakis shpreh shqetësimin për rrezikun e mbylljes së këtij institucioni arsimor dhe sipas tij kjo është një mënyrë për forcimin e lidhjes së popullësisë të Epirit të Veriut me gjuhën dhe kulturën greke. Sipas tij mbyllja e kësaj shkolle do të jetë goditje e padurueshme për pakicën greke në rajon.
Dhe se vonesa në mbulimin e shpenzimeve operative dhe pagave të personelit të shkollës “Omiros” për shkak të krizës financiare përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë jo vetëm në cilësinë e arsimit, por edhe vetë ekzistencën e kulturës greko-folëse në Korçë. “Shteti grek ka detyrë të mbështesë shkollën greke të Korçës, në mënyrë që fëmijët e vegjël të mos harrojnë historinë, gjuhën, fenë dhe zakonet e vendit të tyre, shkruhet në letër”.
Ndër të tjera shkruhet se minoriteti grek i Epirit të Veriut është me rëndësi të madhe dhe mirëmbajtja e arsimit grek në këtë zonë të ndjeshme, duhet të jetë një prioritet kombëtar. Deputeti kërkon që ministri të shpjegojë qëndrimin e qeverisë në lidhje me këtë çështje dhe çfarë do të bëjë ajo për funksionimin permanent të shkollës greke.
Deputeti në fjalë ka treguar mjaft ndjeshmëri për çështjet, që sipas tij, lidhen me minoritetin grek në Shqipëri. Disa ditë më parë ai kundërshtoi hapur ligjin që parashikon prerjen e 18 000 pensioneve të minoritarëve, të cilët përfitojnë nga enti i sigurimeve bujqësore, OGA. Në shkollën “Omiros” në Korçë mësojnë 370 nxënës të shkollës fillore dhe 80 të kopshtit.





