KRUJE/VLORE– Depresioni shkakton 2 viktima brenda një harku të shkurtër kohe. Këtë herë pre e tij kanë rënë dy meshkuj që në kushte depresive kanë vendosur t’i japin fund jetës duke u varur në litar. Ngjarjet e rënda janë regjistruar në Krujë dhe Vlorë.

Burime të policisë së Durrësit bëjnë të ditur se pasditen e djeshme është gjetur i vdekur nga familjarët e tij shtetasi Selman Dema, 65 vjeç, banues në fshatin Mazhë e Vogël, Krujë.

I moshuari kishte zgjedhur t’i jepte fund jetës duke u varur në litar në një kasolle pranë shtëpisë së tij. Pas veprimeve të para hetimore mbi trupin e viktimës dhe pyetjes së familjarëve, efektivët e policisë kanë arritur në përfundimin se bëhej fjalë për një vetvarje të kryer në kushte depresive.

Sipas dëshmive të familjarëve 65 vjeçari prej kohësh ishte mbyllur në vetvete dhe vuante nga depresioni.

Ndërkohë mëngjesin e sotëm është konstatuar një tjetër vetvrasje, këtë herë në qytetin e Vlorës. Një 55 vjeçar ka vendosur t’i japë fund jetës në të njëjtën mënyrë, duke u varur në litar.

Trupi i Besnik Braxhaj, banor në lagjen “Isa Boletini” në Vlorë është parë i varur në ballkonin e katit të tretë të shtëpisë së tij nga fqinjët.  

Paraprakisht mendohet se 55-vjeçari vuante prej kohësh nga depresioni, ç’ka mendohet se është bërë shkak për veprimin e tij. Ai banonte i vetëm, pasi nuk rezultonte të ishte i martuar dhe nuk kishte fëmijë.