DURRES – Transportonte drogë në automjet, braktis makinën në port dhe shpallet në kërkim nga policia. Një 28 vjeçar nga Fieri është shpallur në kërkim, pasi ndaj tij policia e Durrësit ka nisur procedimin penal në mungesë. Neltion Dhanili mësohet se ka braktisur automjetin e tij tip Fiat Punto me targa AA533FN në pikën e Kontrollit Kufitar në portin e Durrësit.

Automjeti i braktisur ka ngjallur dyshim tek forcat e rendit, të cilat pas konsultimit me prokurorinë e Durrësit e kanë hapur mjetin e braktisur dhe kanë konstatuar brenda tij një sasi të konsiderueshme lënde narkotike të llojit kanabis sativa.

Droga është gjetur në sediljen e prapme të automjetit në pronësi të 28 vjeçarit. Lënda narkotike ishte e presuar dhe e ndarë në 32 pako me peshë totale 32 kg e 545 gr.

Mesa duket i riu ka dashur ta transportonte sasinë e drogës drejt vendit fqinjë Itali, duke u imbarkuar në njërin prej trageteve të linjës Durrës – Bari, por në momentin e fundit është tërhequr.

Mbi 28 vjeçarin Dhanili rëndon akuza e trafikimit të lëndëve narkotike.