TIRANE – Siguria ushqimore mbetet një nga shqetësimet kryesore të konsumatorëve. Në një shkrim të saj “Gazeta Shqiptare” raporton se një numër i lartë ankesash është depozituar nga qytetarët për bukën, produktin bazë në tryezat e shqiptarëve.

Duke iu referuar deklaratës së kryetarit të shoqatës së konsumatorit, Islam Cani, pranë kësaj shoqate janë depozituar në total 684 ankesa për këtë produkt. Nëse deri tani qytetarët janë ankuar kryesisht për çmimin dhe peshën e bukës, fakti më shqetësues, që mund të konsiderohet pa frikë një skandal i vërtetë është prania e elementëve të ndryshëm si qime, fije thasësh, copa plastike e deri xhami brenda këtij produkti.

“Mes ankesave të shumta të konsumatorëve për abuzimin me peshën e bukës janë edhe shumë ankesa të tjera në lidhje me ndotjen e saj nga elementë të huaj, si copa plastike, fije të ndryshme që vinë nga thasët e miellit apo qime. Këto kanë qenë ankesat më të shumta, por ka patur edhe të tjera për gjetjen e trupave të tjerë të huaj dhe të rrezikshëm siç janë thonjtë edhe copat e qelqit", – ka deklaruar kryetari i Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar, Islam Cani.

Sipas tij ankesa të shumta ka nga konsumatorët edhe për përdorimin e qeseve plastike e jo atyre të letrës gjatë tregtimit të bukës. 

Nga ana tjetër Cani ka theksuar se konsumatorët kanë depozituar pranë kësaj shoqate rreth 4 mijë ankesa që kanë të bëjnë me ushqimet e skaduara, rrezikun e fast-foodeve, tregjet e rrugës, mungesën e shërbimit në tregjet publike, ushqimet jo të sigurta e sidomos shitjen e prodhimeve shtazore në rrugë jashtë standardeve higjieno-sanitare si dhe helmimeve nga ushqimet e restoranteve.