TIRANE – “Fitim Alla, është autori i plagosjes së shefit të krimeve në Burrel, komisarit Musa Skura”. Ky është konkluzioni i grupit hetimor të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, bazuar në dëshmitë e vet të arrestuarve dhe efektivëve të policisë që shoqëronin Skurën, mbrëmjen e së dielës.
Grupi hetimor i drejtuar nga prokurorja Elisabeta Imeraj, ka zbritur në vendin e ngjarjes, duke asistuar në mbledhjen dhe grumbullimin e provave materiale ndaj të arrestuar: Fitim Alla, 19-vjeç, Vilson Milkurti, 18-vjeç, Edison Lleshi, 18-vjeç dhe të shpallurit në kërkim Riza Barçi. Mbi ta rëndon akuza e “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” të mbetur në tentativë ndaj punonjësve të policisë.
Shefi i krimeve të Burrelit u plagos rëndë pasditen e së dielës, kur efektivët e Komisariatit të Policisë së këtij qyteti, kishin organizuar një operacion policor për arrestimin e disa shtetasve.
Avioni sanitar, i cili do të transportojë Musa Skurën drejt Italisë mbërriti mëngjesin e sotëm rreth orës 8:00 në aeroportin e Rinasit. Megjithëse 57-vjeçari i është nënshtruar një operacioni që ka zgjatur plot 6 orë, sërish gjendja e tij shëndetësore paraqitet e rëndë, për shkak të dëmtimit të 5 organeve dhe hemoragjisë së brendshme, çka i ka sjellë humbjen e një sasie të madhe gjaku. Shefi i Krimeve të Burrelit do të niset sot drejt spitalit ‘Padre Pio’ në Foxhia të Italisë.





