DURRES– Arrestohen në flagrancë grabitësit e makinave luksoze. Dy shtetas nga Kruja kanë rënë në prangat e policisë ndërsa ishin duke grabitur në lagjen nr 13 të qytetit bregdetar një automjet BMW – X5 me targa AA003DR, i cili ishte ne pronësi të shtetasit Sh.G., 44 vjeç, nga Durrësi.
Efektivët e rendit kishin mbledhur prej disa muajsh informacion lidhur me një grup grabitësish që operonin në zonën e plazhit dhe që në shënjestër kishin automjetet e kushtueshme.
Burime nga komisariati i policisë Durrës bëjnë të ditur se në kuadër të operacionit të koduar “Start” u arrestuan në flagrancë shtetasit Eduart Xaka, 24 vjeç dhe Naim Murati, 44 vjeç, që të dy banues në Krujë.
Pas dokumentimit të një sërë grabitjesh të automjeteve në harkun kohor gusht 2012-janar 2013, policia mbante prej kohësh nën mbikqyrje shtetasit në fjalë dhe arriti t’u vërë prangat ndërsa po vinin në zbatim grabitjen e rradhës.
Xaka dhe Murati shfrytëzonin pikërisht orët e natës për të realizuar veprimtarinë e tyre të paligjshme, pasi mungesa e lëvizjeve në këto orë në lagjen nr.13 e bënte edhe më të lehtë punën e tyre. Vetëm në ditët e para të këtij viti ata kishin mundur të grabisnin 3 automjete.
Krahas arrestimit të këtyre dy shtetasve policia e Durrësit ka shpallur në kërkim shtetasin Afrim Xhixha, 33 vjeç, banues në Larushk Fushë Krujë për të cilin ka nisur procedimin penal në mungesë.
Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se aktiviteti i këtij grupi grabitësish ishte përqendruar në zonën e plazhit dhe në harkun kohor të 5 muajve ata kishin arritur të grabisnin 10 automjete luksoze në këtë lagje.
Në cilësinë e provës materiale shtetasve të mësipërm iu sekuestruan dy automjete tip BMW si dhe kasetofonë të markave të ndryshme, koka sediljesh, tre telefona celularë dhe dy karta bankare.
Pas dokumentimit të të gjitha provave dhe në bazë të veprimeve hetimore rezultoi se personat në fjalë, në bashkëpunim me njëri-tjerin, kanë grabitur në lagjen Nr.13 Plazh këto automjete:
1- Me datë 11.01.2013 dyshohet të kenë vjedhur automjetin tip Benz furgon me targa KV054A, pronë e shtetasit B.B..
2- Me datë 10.01.2013, në Sektorin Apollonia kanë vjedhur automjetin BMW- X3 me targa AA100BT, pronë e shtetasit L.I., banues në lagjen Nr. 17 Durrës.
3- Me datë 07.01.2013 kane vjedhur automjetin tip furgon me targa DR2645D pronë e shtetasit I.B., banues në lagjen Nr. 13 Durrës.
4- Me datë 23.12.2012, në lagjen Nr. 13 Durrës kanë vjedhur automjetin tip Volkswagen me targa DR484A, pronë e shtetasit K.B., banues në lagjen Nr 13 Durrës.
5- Me datë 09.09.2012 kanë vjedhur automjetin BMW me targa DR6800E, pronë e shtetasit E.Th., banues në lagjen Nr. 13 Durrës.
6- Me datë 06.09.2012, në lagjen Nr. 13 Durrës, kane vjedhur automjetin Benz Mercedes me targa të Kosovës 629 – KS – 629, pronë e shtetasit R.M.
7- Me datë 03.09.2012, kanë vjedhur automjetin Benz 320 me targa DR0440F, pronë e shtetasit F.T., banues në lagjen Nr 3 Durrës.
8- Me datë 01.09.2012, kane vjedhur automjetin tip Audi A6 me targa italiane, pronë e shtetasit I.Gj., banues në lagjen Nr. 14 Durrës.
9- Me datë 23.08.2012, kane vjedhur automjetin Benz me targa italiane CL202CC, pronë e shtetasit S.H., banues në lagjen Nr 13 Durrës.





