Shfaqen probleme në qarkullim, lëvizja me zinxhirë

Rikthehen reshjet e borës dhe ngricat në verilindje të vendit duke bartur me vete edhe një sërë problemesh, kryesisht me qarkullimin rrugor. Në zonat malore ka mbi 25 cm borë ndërsa, qarkullohet me vështirësi në drejtim të Peshkopisë, Arrnit, Kalisit, Grykë Çajes, Shishtavecit, Topojanit e Zapodit.

Në orët e para të mëngjesit si pasojë e ngricave dhe temperaturave të ulëta ka patur probleme edhe në Rrugën e Kombit në segmentin Tunel i Kalimashit – Fushë Gugagjin, si dhe rruga nacionale që lidh Kukësin me Pukën përmes Qafës së Malit.

Policia rrugore ka udhëzuar drejtuesit e mjeteve për përdorim të detyrueshëm të zinxhirëve dhe pajisjeve të tjera dimërore, ndërsa firmat e mirëmbajtjes kanë shpërndarë një sasi të konsiderueshme kripe.

Burime të shtabit të emergjencës në prefekturë bëjnë të ditur se nuk ka patur probleme të emergjencave civile apo urgjenca mjekësore, ndërsa furnizimi me ujë të pijshëm e energji elektrike vazhdon të jetë normal.