Në pranga ka rënë nga policia e qytetit ti Fierit një 27-vjeçare e cila ishte në kërim për vjedhje me dhunë.
Si rrallëherë, një 27-vjeçare nga qyteti i Fierit ka rikthyer në vëmendjen e disa qytetareve skenarin e filmit “Nikita”, duke i terrorizuar e duke i grabitur ato. Edhe pse me trup të vogël, 27-vjeçarja Enkeleda Merka duket se e ka “merituar” emërtimin “Nikita”, pasi e pajisur me kapuç e doreza të zeza dhe me një pistoletë lodër, e cila ngjante si e vërtetë, ka grabitur disa gra në qytetin e Fierit.
Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Fierit, 27-vjeçarja Merka dyshohet se ka kryer të paktën tri grabitje nën ushtrimin e dhunës psikologjike, duke përdorur një pistoletë lodër. Deri tani policia ka dokumentar një prej këtyre grabitjeve, që kanë pasur si objekt femra të ndryshme.
27-vjeçarja Enkeleda Merka kishte jetuar pjesën më të madhe të jetës së saj në Itali. Ajo ishte kthyer në vendlindje kohët e fundit dhe duket se kishte zgjedhur grabitjet si mënyrën e saj për të siguruar jetesën. E veshur me komplet sportiv dhe me atlete, ajo duket në pamje të parë si një çupëlinë, pasi nuk i kalon 1 metër e 60 centimetra dhe ka një fizik atleteje.
Ne si familje kemi para “me thasë”, vajza ime nuk ka nevojë të vjedhë, por është viktimë e ndonjë grupi për të na shantazhuar dhe zhvatur pasurinë. Këto fjalë janë të Hadil Merkës, babait të 27- vjeçares Enkeleda Merka, e cila u arrestua dy ditë më parë nga Policia e Fierit, e akuzuar për disa grabitje.
Biseda për gazetën “Panorama” u bë e mundur nëpërmjet linjës telefonike, pasi ai ndodhet në Brescia të Italisë, bashkë me të shoqen, Ramize, nëna e Enkeledës dhe e një vajze tjetër 17 vjeç, F.Merka (që mundësoi intervistën). Edhe kjo, e ndaluar nga Policia për rreth 10 orë së bashku me të fejuarin e saj A.Ymeraj, gjithashtu një 17-vjeçar, të cilët pretendojnë se u është bërë presion në komisariat për të pranuar vjedhjet në bashkëpunim me Enkeledën.
Megjithatë, dy adoleshentët u lanë të lirë, ndërsa pas hekurave vijon të mbetet 27-vjeçarja, e cila është quajtur ndryshe nga Policia edhe si “Nikita” për shkak të ngjashmërisë në karakter me personazhin e famshëm të filmit që mban këtë emër.
Ajo është e divorcuar prej 3 vitesh dhe ka një vajzë 4-vjeçare, për të cilën po kujdeset këto ditë motra e vetme e Enkeledës. Shtëpia e bukur e familjes Merka ku po rrinë aktualisht 17-vjeçarja dhe 4-vjeçarja, ndodhet në rrugën “Mirëkuptimi”, në zonën periferike të Fierit, që quhet Mbrostar-Ferko.





