Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi: Reformat e realizuara dhe prioritet për 2013-ën

Numri i vendimeve të dhëna për kthimin dhe kompensimin e pronave. Procesi i regjistrimit të pronave, reformat e ndërmarra

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, gjatë analizës vjetore të vitit 2012 e ka vënë theksin tek realizimi reformave gjatë këtij viti dhe ka parashtruar prioritete për vitin 2013. Sipas ministrit, çdo muaj janë lançuar dhe realizuar, reforma që kanë shkuar si investim në sistemin e drejtësisë. “Gjatë vitit janë lançuar rreth 35 arritje që përbëjnë fazën e hartimit dhe implementimit të tyre, duke prekur çdo pjesë të mozaikut të sistemit të drejtësisë. Çdo muaj të vitit 2012 është lançuar në publik dhe media, jo me pak se një reformë e sistemit të drejtësisë. Thelbi i tyre ka qenë dixhitalizimi i sistemit të drejtësisë, me fokus përmirësimin e sistemit dhe shërbimeve, rritjen e transparencës, rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë dhe reduktimin e korrupsionit”,- tha ministri Halimi. Konkretisht, gjatë fjalës së tij ministri Halimi bëri një përmbledhje të të gjitha reformave të ndërmarra, ku veçoi, më së shumti, ligjin për pasurinë e paluajtshme, si një nga reformat më të qenësishme të sistemit të drejtësisë”, e cila, sipas tij, shkëputi kontaktin e qytetarit me zyrtarin, duke këputur fillin e korrupsionit.”

Kështu, në kuadër të projektit LAMP të Bankës Botërore, gjatë vitit 2012 janë regjistruar rreth 130.000 pasuri të paluajtshme, ndërkohë që deri në qershor 2013, do të përfundojë procesi i regjistrimit edhe për 320.000 pasuri të tjera, proces i cili ka nisur gjatë vitit 2012. “Po në vitin që lamë pas është dixhitalizuar i sistemit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, është vendosur në funksionim e sistemi ALBSREP në ZVRPP Tiranë, Durrës dhe Elbasan, nëpërmjet të cilit është bërë e mundur kryerja nga ZRPP. Është bërë i mundur krijimi i Portalit Elektronik, si dhe krijimi dhe vënia ne funksionim i sistemit “One Stop Shop-Sistemi i Noterisë”, në ZVRPP Tiranë dhe Durrës”,- tha ministri Drejtësisë, Eduard Halimi

Të ardhurat e mbledhura

Të ardhurat nga shërbimet e kryera në ZVRPP-të për vitin 2012 janë afro 1 390 000 mijë lekë, rreth 117 % më shumë, krahasuar me të ardhurat e realizuara në vitin 2011.

-Në të ardhurat nga shërbimet nuk përfshihen të ardhurat qe ZRPP vjel dhe derdh në buxhetin e shtetit si agjent tatimor për:

• Tatimin mbi rivlerësimin e pasurive të paluajtshme (1%)

• Tatimin mbi të ardhurat nga kalimi i se drejtës se pronësisë (10%)

• Taksa e kalimit të se drejtës se pronësisë.

Kthimi dhe kompensimi i pronës

Gjatë analizës vjetore të ministrit të Drejtësisë, sa i takon kthimit të pronave, pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 55/2012 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9235/2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” të ndryshuar, janë dhënë 628 vendime. Sa i takon kompensimit të pronave, Halimi tha se nga Drejtoria e Kompensimit të Pronës për vitin 2012 janë marrë 164 vendime të cilat janë nënshkruar nga Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së. Në total, numri i vendimeve të dhëna për vitin 2012 është 792.

Prioritetet për vitin 2013

Ministri prezantoi para medias edhe prioritet e Ministrisë së Drejtësisë për vitin 2013 në të cilat veçoi si më prioritare: reformën në sistemin gjyqësor, me fokus statusin e gjyqtarëve, për rishikimin dhe përmirësimin e pagave të tyre sipas modeleve të BE-së; reformën në Avokaturën e Shtetit, duke e shtrirë Avokaturën e Shtetit dhe drejtoritë juridike nëpër Ministri në një të vetme, të quajtur “Shërbimi Juridik i shtetit”, faza e dytë e reformës, si dhe reformën në Sistemin e Burgjeve për privatizimin e shërbimit të transportit për të dënuarit me rrezikshmëri të ulët dhe për Ndërtimin e burgjeve tërësisht private të sigurisë së ulët sipas modelit USA, e cila ka në fokus uljen e shpenzimeve dhe trajtimit të të dënuarve nëpërmjet punësimit në sektorin privat.