INDI– Ndërsa s`kanë kaluar veçse pak javë nga ngjarja e rëndë e Nju Delhit, që tronditi të gjithë Indinë, dhe policia raporton për një tjetër përdhunim në grup, këtë herë në shtetin verior të Panxhabit.

29-vjeçarja e përdhunuar, identiteti i së cilës nuk është bërë i ditur tregoi të gjithë ngjarjen në polici. “Shoferi i autobuzit refuzoi të më ndalonte në Gurdaspur e vazhdoi rrugën. I la të gjithë pasagjerët e tjerë të zbrisnin, përveç meje. Eci më tej dhe e ndaloi autobuzin në një vend të shkretë. Pas kësaj, ai dhe të tjerë abuzuan me mua”, u shpreh viktima e agresionit.

Gjashtë persona kanë përfunduar në pranga e një 17-vjeçar është shpallur në kërkim, lidhur me incidentin që vjen pikërisht në një kohë, kur mbarë vendi u përfshi nga protesta masive kundër dhunimit dhe vdekjes së një studenteje 23-vjeçare në kryeqytet.

Protestat masive, që përfshinë vendin me atë rast, detyruan qeverinë të ngrinte gjykata të posaçme, të cilat do të merren ekskluzivisht me çështjet e përdhunimeve, ndërsa ligjvënësit po diskutojnë mundësinë e forcimit të ligjeve ndaj agresionit seksual.