TIRANË – Në seancën e radhës për ngjarjet e 21 janarit eksperti Dritan Zoto ka dalë në konkluzionin se plumbi që ka shkaktuar vdekjen e Ziver Veizit nuk ka qenë rikoshet, por një plumb i drejtëpërdrejtë.
Eksperti Zoto ka arritur në konkluzionin se predha nuk është përplasur me ndonjë objekt madje ajo ka pasur gjurmë të kuqërremta, që sipas tij mund të jetë gjaku i viktimës. Një provë e fortë sipas Zotos që mund të gozhdojë fajtorin e gjithë kësaj historie janë copëzat e drunjta, që nuk u gjetën në vendin ku pretendohet se goditi predha, por në këmishën e viktimës.
Konkluzioni në të cilin ka dalë eksperti Zoto hedh poshtë pretendimet e ekspertit të thirrur nga pala mbrojtëse, sipas të cilit, plumbi ka qenë rikoshet. Në seancat e mëparshme eksperti kriminalist, Gani Jahelezi, tha se predha e dalë nga arma e të pandehurit Agim Llupo ka udhëtuar së bashku me dy ashklat mikroskopike në trupin e të ndjerit, duke nënkuptuar se viktima është qëlluar nga një goditje rikoshet.
Nëse do të vërtetohet se predha e lëshuar nga arma e Llupos nuk ka bërë rikoshet, ish-gardisti rrezikon të dënohet me burgim të përjetshëm.





