ROME– Karabinierët e Folignos kanë dëbuar dy ditë më parë një 25 vjeçar shqiptar, që zotëronte një pasaportë biometrike, me emrin Elio.G. Por, sipas agjencisë së lajmeve ASCA, shenjat e gishtërinjve tregojnë një të vërtetë tjetër.
I njëjti person, në vitin 2009 ishte arrestuar në Assisi për shpërndarje droge dhe ishte dëbuar pas një periudhe burgimi. Asokohe quhej Ermal. Majin e shkuar 25 vjeçari shqiptar është kapur sërish në Assisi. Këtë herë ai ka treguar një pasaportë shqiptare të sapo lëshuar me emrin Hermes. Edhe këtë radhë u dëbua.
Kështu, i kapur sërish pak ditë më parë si Elio, është arrestuar për shkeljen e ligjeve të emigracionit dhe është shoqëruar në aeroportin e Anconës dhe është hipur në një avion për Tiranë. Ermal/Hermes/Elio nuk mund të hyjë në Itali e në asnjë vend të zonës Shengen për pesë vjet, gjithnjë nëse nuk pajiset me një pasaportë të re dhe me një identitet të ri.





