TIRANË – PDIU dhe KPR kanë denoncuar sjelljen anakronike të autoriteteve greke karshi shtetasve shqiptarë. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësi Ardit Bido bëri me dije faktin se para dy ditëve në kufirin shqiptarogrek të Kakavijës, autoritetet doganore kthyen në kufi shtetasen Elida Jorgoni, koordinatore e grupimit të Pasardhësve të Rilindasve, duke e shpallur atë persona non grata. 

“Znj. Jorgoni, e cila ka origjinën e familjes së saj nga Janina, do të vizitonte varret e paraardhësve të saj që gjenden ende në këtë qytet dhe disa të afërm të saj që janë emigrantë në Greqi. Prej disa kohësh ajo është koordinatore e një grupimi të pasardhësve të drejtpërdrejtë familjarë të rilindasve, aktiviteti i vetëm i të cilëve ka qenë promovimi i patriotëve shqiptarë dhe jo sulmi ndaj kombeve të tjera. Aktiviteti i fundit i tyre ka qenë në bashkëpunim me Klubin e Patriotëve të Rinj, i titulluar “Rrugëtim në hapat e rilindasve”, ku u përkujtuan rilindasit shqiptarë në Elbasan, Pogradec, Korçë e Manastir dhe u krye dhurimi i pllakës së re të Kongresit të Manastirit. Autoritetet greke i kanë deklaruar verbalisht znj. Jorgoni se arsyeja e shpalljes së saj si persona non grata ka qenë pikërisht pjesëmarrja e saj në këtë aktivitet, që nuk kishte aspak të bënte me Greqinë”,- theksoi Bido. 

Klubi i Patriotëve të Rinj dhe PDIU apeloi ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme që të ndërhyjë për të ndaluar dëmin që po kryhet ndaj shqiptarëve.

Elida Jorgoni, është bashkëshortja e të ndjerit Perikli Jorgoni, poet dhe përkthyes, që u nda nga jeta rreth një muaj më parë, pasi u aksidentua në një aksident automobilistik.