LEZHE – Vrasja në lokal e 27 vjeçarit ka ndodhur për një përplasje pa dashje gjatë vallëzimit në lokalin ku kishte muzikë live. “Panorama” shkruan sot se ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 02:00, në një lokal nate në superstradën Milot- Lezhë, në kryqëzimin me rrugën e fshatit Shënkoll. Maltin Shtjefni, banor i zonës ku edhe ndodhi krimi, është qëlluar me një armë pistoletë në kokë, çka i shkaktoi vdekjen e menjëhershme. Ngjarja shkaktoi panik te klientët.

Siç mësohet, në momentin e vrasjes kanë qenë rreth 50 persona në lokal. Autori, i identifikuar si 26- vjeçari nga fshati Manati, Maringlen Përgjini, dhe viktima kanë qenë në tavolina të ndryshme.

Burime nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se Shtjefni, i cili tre ditë më parë kishte festuar ditëlindjen e tij, ishte ulur në një tavolinë me miq të tij. Edhe autori, i cili është shpallur në kërkim, ka qenë me një grup miqsh në një tavolinë tjetër. 

Dëshmitarët i pohuan grupit të hetimit se krimi ka ndodhur sa hap e mbyll sytë. Viktima e autori janë hasur pa dashje teksa kërcenin në lokal dhe kjo ka shkaktuar debat dhe fyerje mes tyre. Krejt papritur, Përgjini ka nxjerrë një armë dhe ka qëlluar në drejtim të Shtjefnit.