LONDER – Pas një operacioni 3-mujor, policia e Londrës arriti te neutralizojë një bandë shqiptare të plaçkitësve, e cila operonte në veri dhe në rrethinat e kryeqytetit britanik. 

Nga tetë pjesëtarët e bandës, tre prej tyre, Elton Kalaj, 27 vjeç, Arben Lecini, 35 dhe Klodian Haliti, 30, janë dënuar me nga 2 deri në 5 vjet e gjysmë burgim.

Në gjykatën në Harrow, sipas shtypit vendas, plaçkitësit shqiptarë operonin në orët e vona të mbrëmjës, duke çaktivizuar së pari sistemet e alarmeve dhe duke përdorur pajisje të posaçme për hyrjen në mjediset e bizneseve tregtare.

Pjesëtarë të tjerë të bandës ruanin jashtë, ndërkohë që të tjerë përdornin pajisje të posaçme për ngarkimin e kasafortave të rënda, që më pas i transportonin në një destinacion tjetër për t’i zbrazur. 

Detektivët britanikë besojnë se kjo bandë kryente të paktën një plaçkitje në javë gjatë një periudhe 3-mujore. 

Sipas kryededektivit Graeme Simpson, “kishim të bënim me një grup plaçkitësish mjaft të organizuar, të cilët takoheshin rregullisht për të planifikuar aktivitetin e tyre kriminal”.

Sipas tij, ata kanë vjedhur 150 mijë funte në periudhën dhjetor 2011, deri në mars të 2012, por dëmet ndaj bizneseve për riparimet, humbja e të ardhurave dhe kostot e tjera vlerësohen në disa qindra mijëra funte.

Si raporton Top-Channel, policia britanike është duke u koordinuar me autoritetet e emigracionit për të parë nëse pjesëtarët e këtij grupi kanë bërë shkelje të ligjeve të emigracionit dhe paraprakisht, për të parë mundësinë e riatdhesimit të tyre në Shqipëri.