DURRES – Gjykata e Apelit në Durrës ka shtyrë për të katërtën herë seancën ndaj Ilir Xhakjas, i akuzuar për vrasjen e Qerim Malokut. Në seancën e sotme pritej të dëgjoheshin tre ekspertët balistikë, por seanca nuk është zhvilluar për shkak se i pandehuri Ilir Xhakja nuk ishte informuar për rishqyrtimin e provave balistike.
Në seancën e zhvilluar në fund të muajit dhjetor Gjykata e Apelit vendosi të rikryhet ekspertiza balistike për shkak të kundërshtive të fakteve mes ekspertizave të kryera në kohë të ndryshme.
Relatori Petraq Dhimitri ka ngarkuar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore të caktojë ekspertët që do të realizojnë ekspertizën e re mbi bazën e së cilës trupi gjykues do të vendosë për fajësinë ose jo të Xhakjas në vrasjen e shtetasit Qerim Maloku. Seanca e rradhës në ngarkim të Ilir Xhakjas do të zhvillohet në 23 janar.
Vrasja e Qerim Malokut ka ndodhur në vitin 1998 në vendin e quajtur Katund Sukth. Më 26 korrik 1998, rreth orës 23:00, në Katund Sukth, është vrarë me armë zjarri shtetasi Qerim Maloku. Para se të vritej, viktima Qerim Maloku kishte dalë nga banesa e tij për të shkuar te lokali i nipit të tij dhe më pas ishte nisur për tek një bilardo pranë banesës tij. Gjatë rrugës për atje, Maloku është goditur me breshëri automatiku.
Ndërkohë mbi Xhakjan rëndon akuza e vrasjes së Kryekomisarit të Shijakut, Adem Tahiraj, ngjarje kjo e ndodhur në shtator të këtij viti. Pritet që shumë shpejt të nisë gjyqi tjetër në ngarkim të të fortit të Katundit të ri.





