DURRES– Dy të rinj kanë përfunduar në prangat e policisë, pasi pas kontrollit të ushtruar në shtëpitë e tyre efektivët e rendit kanë gjetur dhe sekuestruar lëndë narkotike.
Në një komunikatë për mediat Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës sqaron se në date 09.01.2013, është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasve Erion Kasa, 25 vjeç dhe Bledar Zeqja, 27 vjeç, të dy banues në Durrës.
Gjatë kontrollit të ushtruar në shtëpinë e Kasës policia ka gjetur një qese plastmasi me një sasi pluhuri që për nga karakteristikat ngjason me atë të lëndës narkotike të llojit heroine, me peshë prej 0.65 gramë, si dhe një qese plastike paketash me lëndë narkotike të llojit kanabis sativa, me peshë 2.05 gramë.
Ndërkohë në shtëpinë e 27 vjeçarit Zeqja krahas sekuestrimit të një qeseje plasmasi me 3.75 gramë kanabis sativa është gjetur edhe një përforcues grushti metalik.
Mbi dy të rinjtë rëndon akuza për veprën penale ”Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, ndërkohë që Zeqja do të përballet edhe me akuzën për mbajtje pa leje të armëve të ftohta.