TIRANË – Presidenti i Republikës, Z. Bujar Nishani ka dekretuar emërimin e ambasadorëve të rinj të Shqipërisë në Itali, Francë, Mbretërinë e Bashkuar, Kuvajt, Turqi etj, duke zëvendësuar kështu ambasadorët që janë liruar nga detyra në këto vende. 

Sipas zyrës për shtyp të Presidencës, Z. Dritan Tola, emërohet ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Francës, rezident, si dhe ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Principatën e Monakos, jorezident, duke zëvendësuar në këtë post Z. Ylljet Aliçka, i cili lirohet nga detyra. 

Gjithashtu Z. Llesh Kola, lirohet nga detyra e ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Italisë, rezident, si dhe nga detyra e ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Maltës, në Republikën e San Marinos, dhe pranë Organizatës Ndërkombëtare të Bujqësisë dhe Ushqimit “FAO”, jorezident. Në vend të tij emërohet Z. Neritan Ceka. 

Z. Altin Kodra, lirohet nga detyra e ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Turqisë, rezident, si dhe nga detyra e ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Azerbajxhanit, në Republikën Islamike të Iranit, Republikën e Kirkistanit, Republikën Islamike të Pakistanit dhe në Republikën e Gjeorgjisë, jorezident. Në vend të tij emërohet Z. Genci Muçaj. 

Gjithashtu Z. Admirim Banaj, lirohet nga detyra e ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Arabisë Saudite, rezident, si dhe nga detyra e ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bahreinit, në Sulltanatin e Omanit, në Kuvajt dhe në Republikën e Jemenit, jorezident. Ndërsa Z. Kujtim Morina, emërohet ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Shtetin e Kuvajtit, rezident.