TIRANE– Qeveria shqiptare ka miratuar një fond prej 9 miliard e 860 milion e 481 mijë e 867 lekë të vjetra për kompensimin e ish-pronarëve tokat e të cilëve janë zënë prej ndërtimeve informale. Numri i pronarëve dhe trashëgimtarëve që fitojnë nga ky vendim është 4577, ndwrsa sipërfaqja e shpërblyer është 643000 e 728 metra katrorë.
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave duhet të kryejë kompensimin financiar për pronarët dhe trashëgimtarët, brenda 5 ditëve nga dalja e listës zyrtare me emrat e përfituesve.
“AKKP-ja, brenda 5 ditëve nga miratimi i kërkesës dhe listës së subjekteve që kompensohen, kryen veprimet me Degën e Thesarit dhe bankën e nivelit të dytë për derdhjen e shumës në depozitën bankare, të hapur për këtë qëllim nga subjekti përfitues, në përputhje me procedurat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit”, thuhet në vendimin e ndryshuar të qeverisë.
Sipas ndryshimeve ligjore, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave kryen veprimet me degën e thesarit dhe bankën e nivelit të dytë për derdhjen e shumës në depozitën bankare të përfituesit, e cila duhet të jetë e hapur për këtë qëllim nga subjekti përfitues.
Llogaria bankare duhet të jetë në përputhje me procedurat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit.
AKKP-ja, në varësi të kritereve të shpërndarjes së fondit të kompensimit dhe gjendjes së tij, bën derdhjen e shumës përkatëse në depozitën bankare, të hapur për këtë qëllim nga subjekti përfitues, duke e njoftuar atë për veprimin bankar të kryer.





