LEZHE– Mark Grizhaj e ka të vështirë të shprehet për tragjedinë e fundit të ndodhur në familjen e tij ku vajza 22-vjeçare, Lena, i ka dhënë fund jetës duke u vetëhelmuar. Ngjarja ka ndodhur mesnatën e kaluar dhe në orët e para të mëngjezit, kur Marku dhe tre djemtë e tij kanë konstatuar se Lena që flinte në dhomën e saj rënkonte.
Menjëherë ata janë përpjekur t’i japin ndihmën e parë dhe e kanë dërguar në spitalin e Lezhës e më pas atë ushtarak në Tiranë. Rreth orës 13.30 vajza ka mbyllur sytë duke iu dorëzuar përfundimisht vdekjes. Mark Grizhaj rrëfen fatkeqësinë e radhës në familjen e tij, ndërsa shton se kjo e fundit është më e rëndë se tjerat pasi vajza i dha vetë fund jetës duke pirë helm.
“Nuk e di si dal para njerëzve e flas për këtë që më ka gjetur, për këto fatkeqësi të njëpasnjëshme që po më ndodhin në familjen time. E ndjej veten fajtor vetëm për arsyen se gjithë jetën time kërkova drejtësi, por qenka e kotë për ta lypur drejtësinë. Të martën nuk isha në shtëpi, isha në Shkodër bashkë me familjarë të viktimave të tjera të 9 janarit 2004 për të kërkuar atë që bëjmë prej 9 vitesh, vënien para ligjit të shkaktarëve e fajtorëve të vërtetë të 9 janarit 2004 ku bashkë me të tjerët u mbytën dhe djali im Gjini me gruan e tij Elën (Ermirën), e cila ishte shtatzënë dhe që nuk kanë as varr se trupat nuk gjetën. Kjo që më ka ndodhur sot është më e ndjeshme se humbja e tre pjesëtarëve të familjes sime më 2004, sepse ata i mbyti në det mafia e shtetit të Fatos Nanos , i vranë dhe disa u varrosën, të tjerët i hëngrën peshqit sepse i lanë në det pa varr. Por Lena mbyti veten. Dje më thonë se ka përmendur Gjinin e Elën duke thënë se bëhen 9 vjet dhe nuk kanë as varr. Mendoj se kjo ka qenë shkaku. Ka gatuar darkën për mua e vëllezërit si çdo natë dhe kemi rënë për të fjetur, ajo në dhomën e saj”,- tha Mark Grizhaj.
Marrë nga gazeta “Shekulli”