GREQI – Që nga 1 shkurti i këtij viti, Enti Bujqësor i Sigurimeve (OGA) nuk do të paguajë pensionet e personave, që nuk iu nënshtruan regjistrimit të vitit të kaluar. 

OGA njofton se pas përfundimit të regjistrimit tw pranisë fizike të pensionistëve, ka gjetur se 12 792 prej tyre nuk kanë marrë pjesë në regjistrim. 

Agjencia njofton se do të vazhdojë me verifikimin dhe aty ku janë gjetur parregullsi, do të kërkohen shumat e paguara padrejtësisht nga përfituesit ose bashkë-përfituesit, por asnjë përgjegjësi penale. 

Drejtuesit e Agjencisë ftojnë ata të cilët kanë marrë pensionin padrejtësisht, të paraqiten vullnetarisht në zyrat e OGA ose degët e saj për zgjidhjen e borxhit. 

Edhe për personat e regjistruar, OGA do të kontrollojë dhe do të hetojë vlefshmërinë e autoritetit dhe avokatëve, që janë përdorur për regjistrimin e pensionistëve. Në çdo rast shkeljesh, pagesat e pensioneve do të pezullohen dhe do të rifillojnë pas verifikimeve. 

Vitin e kaluar u zhvillua procesi i regjistrimit të pensionistëve, që marrin pension nga Enti Bujqësor i Sigurimeve Shoqërore, OGA, nga ku përfitojnë edhe rreth 17 000 mijë minoritarë grekë në Shqipëri. 1 milionë e 200 mijë pesionistëve iu kërkua t’i nënshtroheshin një procesi të ri regjistrimi, që zgjati 2 muaj, që nga data 1 tetor deri në fund të nëntorit. Agjencia njoftoi se do të pezullohej pagesa e pensioneve për ata persona, të cilët nuk janë regjistruar gjatë periudhës 2 mujore. 

Ndërkaq disa ditë më parë në Greqi, nisi debati mbi ligjin, që parashikon prerjen e 18 000 pensioneve që iu jepeshin minoritarëve grekë në Shqipëri. 

OGA prej vitesh jep pensione 360 euro ne muaj tek të gjithë ata persona që mbajnë statusin e “homogjenit”, (domethënë që vërtetojnë ligjërisht se janë shtetas grekë ose me prejardhje greke).