TIRANE– Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu, u është përgjigjur sot pyetjeve të drejtuara nëpërmjet Facebook-ut. Arvizu ka dhënë përgjigjet për shumë tema të nxehta siç janë zgjedhjet e ardhshme parlamentare, mbi projektin e TAP-it dhe qëndrimin e SHBA-ve, çështjen e Fierit, “21 Janarit” etj etj.
I pyetur nëse është e mundur që tokat shqiptare të bashkohen dhe në këtë mënyrë të formohet “Shqipëria Natyrale”, ambasadori është përgjigjur: “Mendoj se duhet të merrni një hartë të Shqipërisë aktuale nga National Geographic. Ajo është Shqipëria që ne njohim”.
I pyetur nëse do t’i përvishet sërish procesit të numërimit të votave edhe me 23 qershor 2013 ashtu siç bëri në zgjedhjet e 8 majit 2011 dhe se a përbën kjo ndërhyrje në sovranitetin e Shqipërisë, Arvizu përgjigjet: “Unë nuk mendoj se veprimet e Ambasadës Amerikane në zgjedhjet lokale të Majit të vitit 2011 përbënë ndërhyrje në punë e brendshme të Shqipërisë”.
Më tej i pyetur për komunikimin e dy liderëve të partive kryesore në rrjetet sociale, Arvizu shprehet se çështja nuk është mediumi por përmbajtja.
Ambasadori gjithashtu ka folur edhe për privatizimet duke theksuar se “historia e privatizimeve së fundmi ka qenë shumë e përzier” dhe se “Shqipëria ka dëshpërimisht nevojë për investime të huaja të drejtpërdrejta, në mënyrë që ekonomia e saj të rritet”.
Sa i takon problemit me Qarkun e Fierit, që u bën pengesë për arritjen e një kompromisi mes mazhorancës dhe opozitës për miratimin e ligjeve për statusin kandidati, Arvizu është shprehur se: Fieri është një problem i vërtetë. Një gjë është e qartë – politika është e përgjegjshme për krijimin e kësaj rrëmuje. Në të njëjtën kohë, qytetaret e Fierit janë pa një Këshill Qarku funksional. Kjo është e papranueshme”.
Për hetimet lidhur me vrasjen e katër protestuesve me “21 janar” në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Arvizu thotë se: “Kanë kaluar tashme 2 vjet dhe shqiptaret meritojnë të kenë përgjigje, meritojnë veprim dhe meritojnë të ketë drejtësi”.





