DURRES – Prokuroria e Durrësit po heton intensivisht për zbardhjen e rrethanave të vdekjes së 7-vjeçares Arsela Vladi nga fshati Xhafzotaj i këtij rrethi. Sipas “Gazeta Shqiptare”, burime zyrtare nga organi i akuzës bëjnë me dije se gjatë tri ditëve të fundit janë marrë në pyetje mbi 20 mjekë dhe infermierë të reparteve të pediatrisë së Durrësit dhe të Tiranës. Ndërkohë që janë sekuestruar kartelat mjekësore të vogëlushes në Spitalin Rajonal të Durrësit dhe atë të Tiranës, ku më 27 dhjetor të vitit që shkoi ajo ndërroi jetë. Në prokurori janë thirrur sërish edhe prindërit e 7-vjeçares, Ilir e Alma Vladi për të dhënë dëshmitë e tyre. Mësohet se prokurorët e çështjes i kanë kërkuar Institutit të Mjekësisë Ligjore që të përcaktojë shkakun e vdekjes së Arsela Vladit. Burimet e mësipërme sqarojnë se tre ekspertë mjeko-ligjorë po hetojnë shkakun e vdekjes së vogëlushes, e cila vuante nga diabeti, por që iu injektua serum glukoze, pa iu kryer më parë analizat.
Hetimi dhe dëshmia e mjekut
Mes personave të marrë në pyetje është edhe mjeku pediatër i Spitalit të Durrësit, Rasim Lusha, i cili pas publikimit të ngjarjes së rëndë u pushua nga puna me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë. Ditën e djeshme ai ka deklaruar para hetuesve të çështjes se 7-vjeçarja Arsela Vladi ka mbërritur në spital me simptoma të gripit. “Vajza kishte simptoma viroze. Ndaj dhe në këtë rast është ndjekur procedura standarde, që aplikohet ndaj fëmijëve që në spital vijnë me të vjella, duke u injektuar serum glukoze. Unë jam i pafajshëm. Kam bërë të pamundurën për mjekimin e vogëlushes Arsela Vladi, e cila u shtrua në urgjencë rreth orës 21:00 të 25 dhjetorit”, pohoi Lusha. Prokuroria e Durrësit i ka atashuar mjekut pediatër akuzën e “mjekimit të pakujdesshëm, me pasojë vdekjen”. Megjithatë do të jetë raporti i mjekëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore, që do të përcaktojë shkaqet e vdekjes së të miturës. Sipas burimeve nga grupi hetimor, mbetet problem moskryerja e autopsisë së vajzës pas vdekjes në spital me kërkesë të prindërve të saj. “Për momentin nuk kemi bërë kërkesë për zhvarrimin e vogëlushes 7-vjeçare. Nëse raporti i ekspertëve mjeko-ligjorë nuk do të përcaktojë shkakun e vdekjes së saj, mund të kërkohet edhe zhvarrimi”,- shprehen burimet nga Prokuroria e Durrësit.
Ngjarja
Arsela Vladi nga fshati Xhafzotaj i Durrësit u shtrua në spitalin e këtij qyteti mbrëmjen e 25 dhjetorit. Vetëm 12 orë më pas mjekët kanë kryer analiza ndaj vajzës, e cila vuante nga sëmundja e diabetit, por që nuk ishte diagnostikuar më parë. Mjeku që e shtroi, i bëri serum glukoze dhe kjo përkeqësoi gjendjen shëndetësore të vogëlushes, e cila u nis me urgjencë në Tiranë. Vetëm pak orë më pas, e mitura kaloi në gjendje shoku dhe kome. Më 27 dhjetor vajza ndërroi jetë, ndërsa prindërit e saj akuzuan për neglizhencë mjekët e spitalit të Durrësit.





