Nxënësit e shkollave fillore do të bëjnë një vit më shumë shkollë, i cili do t’i hiqet arsimit bazë. Ky është ndryshimi brenda shkollave 9-vjeçare që do të nisë të zbatohet në shtator. Struktura e re nuk do të jetë më 5+4, por do të bëhet 6+3 vite.
Një tjetër ndërhyrje pritet të përfundojë në kurrikulat e arsimit 9-vjeçar, duke riformatuar në grupe lëndore, sidomos në klasën e fundit. Paralelisht do të ndryshojnë edhe tekstet me të cilat zhvillohet mësimi. Në arsimin bazë është vërejtur se ka shumë ngarkesë, sidomos në lëndët shkencore.
Grupet e punës me specialistë kanë 2 vjet që janë ngritur, ndërsa reforma nuk është finalizuar ende. Në një deklaratë para gazetarëve pak ditë më parë, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, theksoi se janë vërejtur probleme në procesin e mësimdhënies në klasën e 9-të.
“Pavarësisht trajnimeve të mësuesve, asimilimi i dijeve ka qenë i vështirë. Ne do të ndërhyjmë te kurrikulat, por edhe tek aftësimi i mësuesve që japin lëndë në këtë cikël”, tha Tafaj. Me ndryshimin e kurrikulave do të ndryshojnë edhe tekstet me të cilat do të mësojnë nxënësit. Trajtimi me paga i mësuesve është një tjetër hallkë e rëndësishme e kësaj reforme.
Me shtimin e viteve, në arsimin fillor do të shtohen mësuesit e specializuar për këtë cikël. E kundërta do të ndodhë në arsimin bazë, ku numri i tyre do të reduktohet. Burime nga Ministria e Arsimit bëjnë me dije se rigrupimi i arsimtarëve do të bëhet pasi të përmbyllet reforma.





