Presidenti Barak Obama ka emëruar ish senatorin republikan, Chuck Hagelin si sekretar të ardhshëm të mbrojtjes si dhe këshilltarin e tij kundër terrorizmit, John Brennan, si drejtues të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, apo CIA-s.
Obama shpalli nominimet të hënën në Uashington.
Nominimet e Hagelit dhe Brennanit, tani duhet të përballen me votën për miratim të Senatit amerikan, i cili kontrollohet nga Partia Demokratike e Obamës.
Por, nominimet e Obamës për ekipin e sigurisë kombëtarë në mandatin e tij
të dytë, janë parë si potencialisht të diskutueshme.
Hagel është një veteran i Luftës së Vietnamit, i njohur për kritikat e tij ndaj kërcënimeve të Izraelit për ta sulmuar Iranin. Ai i ka irrituar disa mbështetës duke bërë referenca për ‘lobin hebre” në SHBA.
Ai gjithashtu ka mbështetur përpjekjet për bisedime me Iranin.
Analistët thonë se Hagel ka gjasa që të mbështesë një tërheqje më të shpejtë të trupave amerikane nga Afganistani sesa që mendojnë disa gjeneralë ushtarakë amerikanë.
Por, edhe pse Hagel është një ish-senator republikan, ai është përballur me kritika nga republikanët e Kongresit, të cilët pretendojnë se ai është një anti-izraelit dhe i butë ndaj Iranit.
John Cornyn, numri dy i republikanëve në Senat, tha në një deklaratë se zgjedhja e Hagelit, sekretar të Mbrojtjes të SHBA-së, do të jetë “mesazhi më i keq i mundshëm që mund t’i dërgojmë mikut tonë Izraelit dhe pjesës tjetër të aleatëve tanë në Lindjen e Mesme”.
Pavarësisht kritikave, asnjë ligjvënës republikan nuk ka kërcënuar bllokimin e emërimit të Hagelit.
Brennan, i cili kaloi 25 vjet në CIA, ka luajtur një rol vendimtar në planifikimin e sulmit të vitit 2011, që vrau liderin e Al-Kaedës, Osama bin Ladenin.
Në CIA ai ka qenë edhe shef i agjencisë në Arabinë Saudite, si dhe ka mbajtur poste të tjera, përfshirë edhe atë të zëvendësdrejtorit gjatë administratës së Bushit.
Obama fillimisht kishte shqyrtuar emërimin e Brennanit, si drejtor të CIA-s, pas zgjedhjeve të vitit 2008.
Brennan përfundimisht e tërhoqi emrin e tij, pas akuzave të përfshirjes së tij në programin e administratës së Bushit, për marrjen në pyetje, për të cilin, kritikët thonë se ka përfshirë tortura.
Të hënën, Obama e përshkroi Hagel si “liderin, që e meritojnë trupat tanë”, dhe një “patriot amerikan”, i cili u rekrutua në ushtrinë dhe shkoi vullnetar në Vietnam:
“Udhëheqja e ushtrisë sonë nga Chuck Hagel do të jetë historike. Ai do të jetë personi i parë i ranguar që shërben si sekretar i mbrojtjes, një nga pak sekretarët, që është plagosur në luftë, dhe veterani i parë i Vietnamit, që e drejton departamentin”, tha Obama.
Obama e përshkroi Brennanin, si një veteran 25 vjeçar të CIA-s, që “e di se çfarë kërkon siguria jonë kombëtare: inteligjencën që iu ofron politikëbërësve fakte, analiza të fuqishme, dhe një kuptim të mprehtë të një botë dinamike.”
“Për katër vitet e fundit, si këshilltar imi për kundër terrorizëm dhe Siguri Kombëtare, John ka zhvilluar dhe ka mbikëqyrur strategjinë tonë gjithëpërfshirëse kundër terrorizmit – një përpjekje e përbashkët e qeverisë, që përfshin mbrojtjen dhe inteligjencën, si dhe sigurinë kombëtare si dhe agjencitë e zbatimit të ligjit”, u shpreh Obama.