KRUJË- 5 vjet më parë u zhvendosën nga Dibra në fshatin Halil të Krujës për një jetë më të mirë, mirëpo që në atë kohë deri më sot familja e Ylber Sadikut e përbërë prej 5 anëtarësh jeton në kushte të rënda ekonomike. Tre fëmijët e vegjël, sikundër dy prindërit ushqehen me bukën thatë, të cilët e sigurojnë nga të tjerët që ua japin si lëmoshë.
“Unë me jetoj me gruan dhe 3 fëmijëtt, pa ndihmë ekonomike dhe pa asgjë, jetojmë në skamje. Kush mundet të na falë ndonjë gjë se jemi burrë dhe grua pa punë”, u shpreh Ylber Sadiku, kryefamiljar.
“Shi, ftohtë, na falin njerëzit me ngrënë. Tu i rrit fëmijët me halle”, tha Blerina Sadiku, e zonja e shtëpisë.
Ndërkohë, përvec kushteve të këqija ekonomike pasi asnjë nga prindërit nuk është në punë, banesa ku jetojnë, një ish-magazinë, rrezikon cdo ditë shembjen e saj. Muret dhe tavanet janë të carë, ndërsa era dhe i ftohti që futet nga të katër anët e shtëpisë, bën që fëmijët të sëmuren shpesh, por kurimi i tyre gati është i pamundur.
“Fëmijët janë sëmurë disa herë dhe ne nuk kemi pasur lekë për të blerë ilace pasi kushtojnë shumë. Kushtet janë shumë të këqija. Ne kemi 5 vjet që banojnë në këtë ish-magazinë”, tregon Ylber Sadiku.
“Tavani është plas vende-vende”, tha Blerina.
Kjo është jetesa e familjes Sadiku, ku duket se dhe fjala shpresë ka humbur kuptimin e saj.





