DURRES – Një 18-vjeçare nga Durrësi i ka vjedhur babait të saj 4 milionë lekë dhe 88 mijë franga zvicerane për të siguruar një jetesë më të mirë për veten dhe të fejuarin e saj. Burime zyrtare nga drejtoria e policisë së këtij qarku bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në lagjen nr.1 të këtij qyteti. Mësohet se adoleshentja Fatma Buziu është arrestuar pas denoncimit të bërë nga babai i saj. Shkëlqim Buziu ka deklaruar se paratë që i mbante në kasafortë ishin të motrës së tij rezidente prej vitesh në Zvicër. Në një intervistë për "Gazeta Shqiptare", ai thotë se kasafortën e ka hapur i fejuari i vajzës së tij, Ismail Xhindi, me origjinë nga Skrapari dhe banues në Durrës. Sipas kryefamiljarit, dhëndri i ka bërë presion vajzës së tij dhe grabitja e parave është bërë që nga korriku i vitit që shkoi deri para Vitit të Ri. 

Z.Shkëlqim, a mund të na tregoni si e zbuluat ngjarjen?

Para Vitit të Ri e zbulova. Na ra gjëma në kokë. Në shtëpi kam një kasafortë të koduar. Aty mbaja paratë që motra ime, emigrante prej vitesh në Zvicër, mi kishte dërguar t'ia ruaja. Na ra gjëma si familje, sepse nuk dinim kujt t'ia vinim gishtin. Për më tepër se vetëm pjesëtarët e familjes sime e dinin se në kasafortën e koduar mbaja para. Menjëherë thirra vajzën dhe të fejuarin e saj dhe u kërkova lekët. Ata të dy e dinin mirë. Po ai djali paskësh qënë maskara, sepse para ca javësh bleu një makinë luksoze "Benz Rexhina". 

Çfarë ju tha vajza juaj?

Fatma kishte që në muajin korrik kur u fejua që bashkëjetonte me Ismail Xhindin. Ata kishin marrë një shtëpi me qira. Shpenzonin shumë para, ndaj tek ai më vajti direkt mendja kur vura re se më mungonin të gjitha paratë e motrës që mbaja në kasafortë. I thirra të dy në datën 3 janar dhe iu kërkova lekët që kishin marrë. Vajza më tha se do të t'i sjellim, por nuk më sollën asgjë. Më pas bëra denoncimin në policinë e Durrësit. Vetë punonjësit e policisë mbetën të shtangur, kur u thashë se më kishin grabitur 4 milionë lekë të reja dhe 88.000 franga zvicerane. Më datën 4 janar ime bijë dhe i fejuari i saj më sollën vetëm 6 milionë lekë të vjetra. Unë i kam me fatura nga banka të gjitha lekët që më ka dërguar motra nga Zvicra. Kështu u detyrova që të denoncoj në polici grabitjen. Për mendimin tim, paratë janë marrë nga kasaforta nga muaji korrik deri në dhjetor të këtij viti, para Vitit të Ri. 

Ku e mbanit kasafortën?

Në dhomën e gjumit. Vajza vinte shpesh në banesën tonë për të ndihmuar me punë shtëpie së bashku me të fejuarin. 

Nuk dyshuat më parë? 

Nuk më shkoi në mendje, sepse kasaforta nuk mund të hapet. Ai që e ka hapur ka qënë shumë i fuqishëm dhe specialist. E kishin shqyer. 

Kë akuzoni ju për grabitjen e parave?

Unë akuzoj atë maskarain, i cili i ka bërë presion vajzës sime që të marrë lekët e hallës së saj, e cila punon me mish e shpirt në emigracion. Nuk mund ta bëjë vajza ime (është arrestuar), ajo nuk di ta hapë kasafortën. E ka hapur ai dhe i ka bërë presion që të mos tregojë. Djali duhet të përgjigjet për këtë që më bëri. Kërkoj nga organet e drejtësisë të mos e lirojnë pa paguar shumën që më ka grabitur, në të kundërt do të hakmerrem me të. Unë jam peshkatar. Punoj shumë për të nxjerrë bukën e gojës. 

Cili është apeli juaj? 

Prokurorja Rediona Halili të zbardhë të gjithë grabitjen. Dua të më kthejnë paratë që më grabitën që të mos bëhem hasëm me motrën dhe kunatin. Unë vetë jam peshkatar, më njeh i gjithë Durrësi, që aq para s'kam ku t'i gjej e ku t'i siguroj.