DURRES- Mbarimi i ditëve të pushimit për festat e fundvitit ka regjistruar edhe nisjen e kthimit të emigrantëve shqiptarë dhe kosovarë për në vendet ku jetojnë dhe punojnë. 

Ndryshe nga herët e tjera, ky vit nuk ka regjistruar fluks të konsiderueshëm udhëtarësh që lëvizin nga porti më i madh i vendit. 

Ndonëse policia kufitare në Durrës ka punuar me kapacitet të plotë për një përpunim sa më të shpejtë të udhëtarëve dhe mjeteve, numri i tyre nuk i ka kaluar 2000 persona në ditë. 

Në pikën e kalimit kufitar të portit të Durrësit raportohet se gjatë tre ditëve të para të janarit kanë lënë vendin nga kjo portë kufitare 4313 shqiptarë dhe të huaj, si dhe 1037 automjete.

Vetëm natën e kaluar kanë dalë nga vendi 1945 udhëtarë, pjesa më e madhe e të cilëve emigrantë shqiptarë, ndërsa të paktën 2 mijë persona të tjerë pritet të largohen nga vendi natën e sotme me tre tragetet e linjës Durrës-Bari dhe tragetin e linjës së Ankonës. 

Agjencitë e transportit detar bëjnë të ditur se kriza ekonomike, por edhe lëvizja e lirë e shqiptarëve në vendet Schengen përgjatë të gjithë vitit, si dhe shfrytëzimi i transportit ajror që ofron udhëtim më të shpejtë, janë faktorët kryesorë në rënien e fluksit të atyre që kthehen për festat e fundvitit pranë familjeve në atdhe.