FIER- Rikthehet grabitja me armë e argjendarive në Fier. Tre persona kanë grabitur një argjendari në lagjen ‘Kongresi i Përmetit’, ndërkohë që kanë plagosur me tytën a armës pronarin e saj, shtetasin Vladimir Zogaj.
Burime nga policia e Fierit bëjnë me dije se ngjarja ndodhi në orët e pasditës, ndërkohë që autorët pas grabitjes janë larguar në drejtim të paditur.
Blutë e Fierit janë vënë menjëherë në lëvizje, ndërkohë që raportohet se pranë stacionit të trenit është gjetur një automjet i djegur që dyshohet të jetë i autorëve të grabitjes, të cilët janë munduar të fshehin gjurmën e krimit.
Nga të dhënat paraprake mësohet se Vladimir Zogaj, pronari i argjendarisë i plagosur ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që argjendari e tij mësohet të jetë pre e hajdutëve për të tretën herë në kohë të ndryshme.





