TIRANE – Vijon djegia misterioze e banesave në komunën Shëngjergj të Tiranës. Dy banesa janë përfshirë nga flakët paraditen e sotme, për arsye ende të paqarta. 

Fatmirësisht nga zjarri nuk ka patur të lënduar, por vetëm dëme te konsiderueshme materiale. Kjo nuk është hera e parë që banesat në Shëngjergj marrin flakë në mënyrë të papritur. 

Rreth 3 javë më parë ekspertët e hetimit dhe parandalimit të zjarreve, si dhe përfaqësues të Policisë së Tiranës kanë kryer një ekspertim të plotë në banesat e djegura në fshatin Derje të Tiranës, dhe kanë dalë në konkluzionin se zjarret janë të qëllimshme. 

Policia bën të ditur se ka nisur punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve që u kanë vënë flakën 12 shtëpive private në më pak se 2 muaj, në komunën Shëngjergj në Tiranë. 

Zjarret kanë nisur që në datën 27 nëntor. Me anë të një letre drejtuar televizionit "NEWS 24", banorët e këtij fshati shprehen se pavarësisht denoncimit të vazhdueshëm në komisariatin numër 4, djegia e banesave vijon ende. Banorët kërkojnë që nga ana e institucioneve ligjzbatuese të gjendet një zgjidhje për një problem të cilin ata e konsiderojnë madhor.