Kryeqyteti i veshur me dekor festiv, i ndriçuar me 3.3 milionë drita, feston ndërrimin e viteve. Në ditën e fundit të vitit 2012, banda e qytetit do të performojë në sheshin “Skëndërbej”, sikundër animatorët do të jenë pranë pemës me performancat e tyre. Momentet e ndërrimit të viteve do të priten në sheshin “Skëndërbej” nën atmosferën e mrekullueshme që do të krijojnë DJ, duke nisur nga ora 23:45 për të gjithë ata që duan ta presin Vitin e Ri në sheshin qëndror të Tiranës. Menjëherë pas numërimit tradicional mbrapsht deri në ardhjen e Vitit të Ri, Bashkia ka planifikuar dhe një spektakël fishekzjarresh. 

TIRANA PAK ORE NGA NDERRIMI I VITEVE 
Rrugët e kryeqytetit të Shqipërisë gjatë këtyre pak orëve që na ndajnë nga Viti i Ri 2013 janë të mbushura plot me njerëz, të cilët nxitojnë për të bërë blerjet e fundit të festës së fundvitit.  Që në orët e para të ditës Tirana ka qënë më e populluar se kurrë, ndërkohë që vëndet me më shumë njerëz janë zonat ku janë të vendosura disa nga tregjet e qytetit. 
Në tregun e madh në qendër të Tiranës, qytetarët kanë vazhduar të blejnë ushqimet e fundit, ndër të cilat më të preferuarit kanë qënë gjelat e detit, të cilët syri t'i sheh ngado rrugëve. 
Nga ana tjetër, nuk kanë munguar edhe blerjet për dhurata në dyqanet e kryeqytetit edhe pse të pakta janë ato dyqane tek të cilat sheh të afishuar tabelën e uljes së çmimeve. Baret dhe lokalet gjithashtu kanë qenë të mbushura me njerëz, të cilët konsumojnë kafen e fundit të vitit 2012. 
Ndërkohë, edhe trafiku nuk ka premtuar shumë qetësi për kryeqytetasit, pasi që ditën e djeshme është vënë re një trafik i rënduar në drejtim të autostradës nga ku njerzit drejtohen për disa nga qëndrat tregtare të Tiranës. 
Ata të cilët përfitojnë më shumë nga kjo ditë feste nuk janë vetëm tregtarët apo pronarët e lokaleve, por edhe parukeritë e Tiranës. Këto të fundit janë të mbushura plot me vajza e zonja, të cilat kërkojnë një look sa më të veçantë për mbrëmjen e sotme, ndërkohë që rradha në parukeri vazhdon deri pak orë para mesnatës. 

ELBASAN, ATMOSFERE FESTIVE NE PRAGUN E VITIT TE RI 
Atmosfera e Vitit të Ri ka përfshirë prej ditësh qytetin e Elbasanit. Kjo duket në dekorin e qytetit, i cili është zbukuruar me pemë dhe simbolet universale që paralajmërojnë ardhjen e Vitit të Ri. 
Drejtoria e Policisë ka rritur masat duke dislokuar efektiva të policisë në qendër të qytetit, në dalje të tij, si dhe në rrugë të ndryshme me qëllim parandalimin e ndonjë incidenti, apo aksidenti. Efektivat e Komisariateve të Policisë Gramsh, Peqin, Librazhd dhe Elbasan, do të jenë në gatishmëri të plotë, 24 orë në 24 orë". Ndërkohë, të gjitha lokalet e restorantet si brenda ashtu edhe në periferi të qytetit, po bëjnë furnizmet e fundit me qëllim që mbrëmja t’i gjejë tavolinat të mbushura. Ndryshe nga vitet e tjera shumë qytetarë kanë preferuar që natën e Vitit të Ri ta kalojnë në këto lokale në kolektiv, ku nuk do të mungojë edhe muzika live me këngëtarët më të njohur në Shqipëri e më gjerë. 

SHKODËR, KONCERT FESTIV TRADICIONAL 
Bashkia e Shkodrës ka organizuar në kuadrin e festave të fundvitit në skenën e Teatrit "Migjeni" koncertin tradicional “Ndërmendje 2012”. Në qendër të programit ishte orkestra simfonike e qytetit, Kori Polifonik "Prenke Jakova", si dhe grupi i klarinetave të orkestrës frymore, dirigjuar nga mjeshtri i njohur shkodran, Kujtim Alia. Nën tingujt e tyre kanë interpretuar solistët Frederik Ndoci, Rita Dervishi, Mimoza Rakaj, Emiljana Palushi, Armando Lika, Luis Ejlli, Rosela Gjylbegu, Elhaida Dani, Luke Mllugja etj. 
Organizatorët kishin rezervuar për publikun një material të përgjithshëm informativ rreth punës dhe arritjeve të institucionit bashkiak, të përcjellë edhe me foto dhe pamje të vidioprojektorit, të cilat e bënë edhe më të larmishme mbrëmjen festive. 
Deri në mbrëmjen e ndërrimit të viteve, bashkia e Shkodrës ka programuar edhe aktivitete të tjera në bashkëpunim me strukturat kulturore dhe artistike të qytetit, përfshirë edhe ato nga Tirana dhe trevat shqiptare në Malin e Zi. 

DURRES, FAMILJARET ZGJEDHIN LOKALET BUZE DETIT 
Festa e vitit të ri do të mbledhë në lokalet buzë detit shumë familjarë, si dhe të rinj dhe të reja nga Durrësi dhe qytetet përreth. Sipas organizatorëve, përveç traditës së përvitshme kjo është një mënyrë e mirë për të promovuar bizneset e këtij sektori. 
Qytetarët, që zgjedhin të shëtisin pas mesnatës në Durrës, mund të bëhen pjesë e festave që do të nisin në disa nga restorantet e qytetit bregdetar në orët e vona të natës së fundit të vitit 2012. 

TURISTË TË HUAJ DO TA KALOJNË NDËRRIMIN E VITEVE NË VALBONË 
Krahas banorëve vendas, janë edhe mjaft turistë të huaj që do të presin vitin e ri në pikën turistike të Valbonës. "Tashmë është bërë e zakonshme që ndërrimin e viteve ta presim bashkë me shumë vizitorë. Ndërsa këtë vit situatën e ka lehtësuar edhe moti i mirë I këtyre ditëve të fundit”, – thotë kryetari i komunës së Margegajt Rexh Biberaj. Sipas tij, pozitive është se "thuajse asnjë ditë nuk ka kaluar pa prezencën e turistëve të huaj në këtë pikë turistike. Ndërsa momentet e ndërrimit të viteve janë të pranishëm 2 grupe turistike, me rreth 35 persona, që kanë ardhur një ditë më parë dhe do të qëndrojnë deri më 4 janar. 
Numri vazhdimisht në rritje i turistëve në këtë pikë turistike është një ogur i mirë i rritjes së interesit të turistëve të huaj për të vizituar Valbonën, duke e bërë këtë pikë turistike të vizitueshme gjatë gjithë vitit. 

VITI I RI, SI LINDI, RITET DHE BESIMI 
Viti i Ri prezanton ripërtëritjen e jetës, ndërsa zakonet e traditës për kremtimin e saj, edhe pse me shekuj kanë pësuar modifikime, ato, sot e kësaj dite i kanë ruajtur specifikat e tyre esenciale. 

Viti i ri është festë: e gjendjes së mirë, e urimeve dhe dëshirave më të mira, shoqërimit, argëtimit, ngritjes së dollive, tryezave të begatshme, e zbukurimit dhe shkëmbimit të dhuratave të ndërsjella. 

Kremtimi i Vitit të Ri është njëra ndër traditat më të vjetra rituale e shprehur gati tek të gjithë popujt e botës, pa marr parasysh racën, fenë, kombin, dhe përkatësitë e tyre të ndryshme. Disa hulumtues mendojnë se, kremtimin e festës së Vitit të Ri, fillimisht e kanë aplikuar kinezët, ndërsa një grup tjetër mendon se kjo traditë fillzënien e vetë e ka nga romakët e vjetër dhe germanët. 

Natën e ndërrimit të viteve gjatë pritjes së Vitit të Ri, shumë popuj të ndryshëm të botës i karakterizon një spektër i gjerë dhe i larmishëm i riteve, besimeve dhe besëtytnive të ndryshme, që janë krijuar si shprehje e dëshirave për: pastrim, largimit të demonëve dhe shpirtrave të këqij, kërkimin e fatit dhe lumturisë, jetës më të pasur dhe më të begatshme…etj. Shumë prej këtyre veprimeve janë të ruajtura dhe kultivohen tradicionalisht edhe sot e kësaj dite. 
Tradita kubane për natën e ndërrimit të viteve praktikon ngrënien e 12 sardeleve të një lloji peshku. Besohet se kjo ndikon në rritjen e fatit dhe lumturisë gjatë 12 muajve të vitit të ri pasues; 

Në Filipine është tejet e rëndësishme që në tavolinën e festive familjare gjatë pritjes së Vitit të Ri , të sigurohet sa më shumë llojshmëri ushqimesh. Me këtë akt besohet se viti që vjen do të jetë aq i pasur dhe i begatshëm sa është e pasur vetë sofra festive e asaj mbrëmjeje 

Në traditën e popujve gati të të gjithë botës fëmijët e lindur më 1 janar konsiderohen si fëmijë më fatlum në botë. 

Puthja në mesnatë nuk është vetëm shprehje e momentit euforik të kremtes, por ajo shpreh edhe konfirmimin e bekimit të miqësisë dhe të afërsisë me atë person, edhe gjatë 12 muajve të vitit që po na vjen; 

Njeriu i parë i cili do t'ju hyjë në shtëpi pas mesnate, besohej se, ai gjatë tërë vitit pasues do të jetë një person fatsjellës për ju dhe besnikërisht mund të mbështeteni në të. 

Preferohet që ndonjë punë apo veprim që ju ka mbetur në gjysmë atë ta përfundoni pikërisht në ditën e ndërrimit të viteve. Ky veprim do t'ju sjell shumë fat dhe punë të mbarë në të gjitha ndërmarrjet e juaja gjatë tërë vitit të ardhshëm. 

Nëse dëshironi që viti i ardhshëm të jetë i lumtur dhe me fat, në asnjë mënyrë nuk duhet ta prisni me borxhe. Tentoni që para ardhjes së Vitit të Ri të tentoni t'i paguani të gjitha borxhet që keni, sepse kështu viti që vjen, do t'ju sjell fillim të mbare në të gjitha fushat e jetës.