TIRANE- Policia e Tiranës ka bërë të mundur arrestimin e dy personave të cilët akuzohen për një sërë vjedhjesh në kryeqytet.
Zëdhënësja e policisë së Tiranës Alma Katragjini deklaroi në një konferencë për shtyp se në sajë të operacionit të koduar “Mesnata” janë arrestuar shtetasit Ergys Luga 26 vjeç dhe Aurel Arapi 27 vjeç.
Sipas policisë, operacioni është zhvilluar në rrugën “Siri Kodra” në kryeqytet ku gjatë kontrollit në automjetin me targa TR 75 69 R i cili drejtohej nga Ergys Luga janë gjetur një sërë televizorë plazma të cilët dyshohen se janë vjedhur.
Sipas zëdhënëses së policisë së Tiranës, dy të rinjtë e arrestuar janë autorë të vjedhjeve të disa banesave dhe dyqaneve në kryeqytet.
Gjithashtu policia e Tiranës ka paraqitur edhe masat e marra për të garantuar rendin e sigurinë gjatë festimeve të fundvitit.
Sipas policisë, masa të veçanta janë marrë në drejtim të parandalimit, zbulimit dhe goditjes në kohë të çdo lloj tendence kriminale, rritjes së sigurisë në rrugë dhe parandalimit të ngjarjeve aksidentale, sigurimin e rendit dhe qetësisë në të gjithë territorin e Qarkut të Tiranës e në veçanti në Qëndrat Tregetare, Bulevardet, Sheshet kryesore si dhe në lokalet ku qytetarët do të festojnë ndërrimin e viteve.
Policia e Tiranës gjithashtu do të ushtrojë kontrolle të plota ndaj të gjithëve drejtuesve të mjeteve, të cilët nuk zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, ecin me shpejtësi tej normave të lejuara apo drejtojnë automjetin nën efektin e pijeve alkolike.





