DURRES – Arsela Vladi, vajza 7-vjeçare që ndërroi jetë të enjten, ka kërkuar ndihmën mjekësore fiks një vit më parë në Pediatrinë e Spitalit të Durrësit. Këtë e konfirmon vetë drejtori i Spitalit Rajonal, Taulant Baku, i cili pohoi gjithashtu se neglizhenca i ka marrë jetën 7-vjeçares. Ai thotë se përgjegjës janë edhe vetë prindërit, pasi kur janë paraqitur 13 muaj më parë në Pediatrinë e Durrësit, pasi vajza kishte të njëjtat shqetësime, nuk i kanë shkuar deri në fund konsultës së mjekut.
Zoti Baku, prindërit e vajzës akuzojnë bluzat e bardha për vdekjen e vajzës. Ju në ç’konkluzion keni dalë?
Për mendimin tim, duhet pak kohë që të dalim në konkluzione të sakta, por nga sa jam njohur me rastin, them se ka një sërë fajtorësh, të cilët do të marrin dënimin e merituar. Jam njohur mirë me rastin e vajzës dhe kam informacione të hollësishme mbi trajtimin që i është bërë asaj. Për mendimin tim, ishte një rast mjaft i lehtë për t’u trajtuar, por neglizhenca ka bërë që të ndodhemi në këtë situatë. Mendoj se gjithkush ka përgjegjësitë e veta për vdekjen e vogëlushes, duke nisur që nga mjeku i lagjes, prindërit, te mjeku pediatër Rasim Lusha.
Konkretisht?
Po, ka shumë përgjegjës. Mjeku i lagjes duket të jetë në çdo kohë disponibël dhe të kujdeset për çdo person që ka në patronazh. Ai duhet ta kishte këshilluar dhe pajisur me kërkesën për të bërë analizat. Gjithashtu, rreth 13 muaj më parë, vajza është paraqitur me të njëjtat simptoma në Pediatri, por që për arsye të ndryshme nuk u është shkuar deri në fund konsultave të mjekut dhe kësisoj nuk u mësua në kohë që vuante nga diabeti. Jam informuar se vajza ka mbërritur konkretisht në muajin nëntor të vitit 2011 në Pediatri dhe me rastin është marrë mjekja neurologe. Ajo i ka kërkuar nënës së vajzës që të kryente dy diagnostikime, por nëna e saj, pasi kishte marrë përgjigjet e ezhesë dhe të skanerit, nuk ishte paraqitur më në spital.
Grupet e punës, të ngritura për të hetuar rastin në fjalë, kanë dalë në konkluzionet e para dhe akuzojnë bluzat e bardha për neglizhencë dhe mungesës së përgjegjshmërisë…
Po është e vërtetë dhe unë nuk jam kundër që fajtorët të dënohen. Mjeku ka përgjegjësi të shpëtojë jetë njerëzish dhe jo t’ua marrin atë. Prandaj edhe e thashë që duhet një hetim i imtësishëm dhe i detajuar, në mënyrë që fajtorët të marrin dënimin e merituar dhe të mos përsëriten raste të tilla. Vajza ka qëndruar për një kohë të gjatë në Pediatri dhe është e patolerueshme që të humbasësh një pacient për një rast kaq të lehtë për t’u ndjekur. Por, edhe QSUT-ja kishte mjaftueshëm kohë për të ndërhyrë, pasi vajza ka dalë nga Pediatria me këmbët e saj dhe pasi ka mbërritur në Tiranë, është përkeqësuar. Vajza nuk ka vdekur dy orë më vonë, por ka qëndruar në QSUT mbi 28 orë, kohë e mjaftueshme për të ndërhyrë.
Domethënë, priten zhvillime të reja për rastin?
Po, sigurisht. Janë ngritur strukturat e nevojshme dhe jemi gati t’u shkojmë deri në fund hetimet, me qëllim parandalimin e rasteve të tjera. Deri më tani kanë dalë vetëm detajet e para, të cilat flasin vetëm për fillimin e hetimeve. Prandaj u ngritën dy grupe pune, për të parë edhe trajtimin që i është bërë të voglës në QSUT, ku dhe ka qëndruar për një kohë relativisht të gjatë, më shumë se një ditë. Edhe ata kanë përgjegjësitë e tyre, por megjithatë, këtë duhet t’ua lëmë personave specialistë të veprojnë dhe të thonë fjalën e tyre. Ne do të respektojmë çdo konkluzion që do të nxjerrin përfundimet e hetimeve dhe zotohemi se do të marrim masa të ashpra për fajtorët.
U është komunikuar pezullimi mjekeve dhe shkarkimi i mjekut pediatër që ndoqi rastin e 7-vjeçares?
U është komunikuar formalisht, por komunikimi zyrtar do t’u bëhet ditën e hënë me shkrim. Pediatri Rasim Lusha është shkarkuar nga detyra e mjekut dhe nuk do të lejohet ta ushtrojë më këtë profesion në spitalin e Durrësit, ndërsa dy mjeket do të pezullohen nga detyrat drejtuese, por do të vijojnë të japin kontributin e tyre, vetëm në detyrën si mjeke.





