TIRANË– KLSH njofton se gjatë auditimit në Ministrinë e Brendshme me objekt: “Mbi zbatimin e ligjshmërisë dhe rregullshmërisë ekonomiko-financiare, për periudhën 1/1/2011 deri më 31/8/2012” u konstatuan shkelje të ligjit “Për prokurimin publik”, të kryera nga Komisioni i Prokurimit Publik dhe veçanërisht nga kryetari i tij.
Konkretisht, Drejtoria e Përgjithshme e Zhvillimit të Prokurimeve të Përqendruara (DPZHPP) në Ministrinë e Brendshme me cilësinë Autoriteti Kontraktor në disa procedura prokurimi ka kualifikuar në përputhje me rregullat e prokurimit disa operatorë ekonomikë, të cilët kanë paraqitur ofertat e tyre në vlera më të vogla se sa operatorët e tjerë pjesëmarrës. Disa operatorë të tjerë pjesëmarrës në tender të interesuar për të dalë fitues, kanë paraqitur ankim administrativ pranë Komisionit të Prokurimit Publik (KPP) për këto procedura.
Nga vlerësimi i dokumentacionit të shqyrtimit administrativ të këtyre ankesave rezultoi se, KPP ka vepruar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik. Për pasojë, në zbatim të këtyre vendimeve të KPP-së, Autoritetet Kontraktore, Reparti Ushtarak nr. 1030, Poshnjë dhe Reparti Ushtarak 1001, Zall-Herr, mbi këtë bazë kanë lidhur kontratat me operatorët ankimues (fitues sipas vendimeve të KPP-së), duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm ekonomik në vlerën 225.6 milionë lekë, respektivisht, 163.8 milionë lekë në procedurën e prokurimit për “Shërbimin e gatimit dhe shpërndarjes së ushqimit (katering) për Repartin Ushtarak 1030, Poshnjë’’ dhe 61.8 milionë lekë në procedurën e prokurimit për “Shërbimin e gatimit dhe shpërndarjen e ushqimit për Repartin Ushtarak 1001, Zall-Herr”.
Për sa më sipër, KLSH ka depozituar kallzim penal pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për konsumim të figurës së veprës penale “shpërdorimi i detyrës”, neni 248 të Kodit Penal të RSH për kryetarin e Komisionit të Prokurimit Publik, E. S. dhe 3 anëtarë të këtij komisioni.





