TIRANE – Me rastin e festave të fundvitit, Kryeministri Berisha organizoi sot një pritje koktejl për anëtarët e kabinetit qeveritar, ministra, zëvendësministra, këshilltarë dhe pjesëtarë të stafit të kryeministrit.
Në mjediset e vilës 31, kryeministri bëri një bilanc të arritjeve më kryesore në disa sektorë të rëndësishëm, duke konkluduar se viti që po mbyllet, ka dëshmuar progresin e pandërprerë të Shqipërisë në të gjitha fushat, si dhe suksesin e reformave të ndërmarra.
“Ky vit nuk ka qenë i lehtë dhe vitet në kohë krize globale dhe krize evropiane nuk mund të jenë vite të lehta. Por ky vit përsëri ka dëshmuar progresin e pandërprerë të Shqipërisë në të gjitha fushat. Ekonomia shqiptarë falë reformave të mëdha të ndërmarra, përsëri mbylli vitin me rritje të qartë ekonomike dhe nuk u gjunjëzua nga kriza. Ky ka qenë një vit i vështirë, por përsëri ka qenë një vit i përpjekjeve të mëdha dhe i guximit të jashtëzakonshëm.”- u shpreh shefi i qeverisë.
Kryeministri Berisha nuk harroi të akuzonte kreun e opozitës, Edi Rama, për bllokimin e procesit të integrimit të vendit, duke mos votuar ligjet e kërkuara në Parlament.
“Statusi nuk u mor, sepse në mënyrën më të pamerituar për vendin kreu i opozitës vendos të mos votojë tre ligje në parlamentin shqiptar dhe nuk i jep mundësi vendit për të marrë statusin. Natyrisht kjo është një gjë shumë e rëndë, por, përsëri, demokracia është një proces për tu mësuar. Dhe ne duhet të kemi durim, duhet të kemi besim se në meritën e saj është se në mënyrë periodike i jepet mundësinë sovranit të japë verdiktin e vet”,- tha Berisha.
Ndër të tjera Kryeministri premtoi se qeveria do të vijojë punën për të renditur Shqipërinë krahas vendeve të zhvilluara të Evropës.
Shefi i qeverisë iu shprehu të pranishmëve dhe nëpërmjet tyre të gjithë punonjësve të administratës mirënjohjen dhe vlerësimin për punën dhe mbështetjen dhënë qeverisë në përmbushjen e detyrimeve të saj.





