TIRANË – Një vajzë e vogël, nga Durrësi, ka mbyllur sytë pasditen e sotme në spitalin pediatrik të Tiranës. 7-vjeçarja, Arsela Vladi, vuante nga diabeti. Mjekët e kryeqytetit bëjnë të ditur se vdekja i është shkaktuar vajzës së mitur nga një goditje në tru.

E ëma e vajzës, Alma Vladi, është shprehur se e bija humbi jetën për shkak të neglizhencës së mjekëve. Sipas saj, mjekët e spitalit të Durrësit nuk e kishin kuptuar se Arsela vuante nga diabeti dhe e kanë lënë të presë 12 orë përpara se ta vizitonin atë. Kalvari i familjes Vladi ka nisur ditën e hënë në spitalin e qytetit bregdetar.

Pas dy ditëve e shtruar në spitalin e Durrësit vogëlushja është dërguar në spitalin pediatrik të kryeqytetit. Mjekët e QSTU-së kanë reaguar duke u shprehur se mjekët e Durrësit nuk e kanë konstatuar në kohë diabetin e vajzës së mitur.

Si rrjedhojë, ata kanë kryer nga e para analizat për diagnostikim. Vajza ndërroi jetë, pasi diabeti i kishte prekur trurin.

I ati i vajzës deklaroi se nuk do t’i denoncojë mjekët, por bëri apel që të tregohen më të kujdesshëm me jetën e njerëzve.