Qytetarët që kanë shkuar të kryejnë kolaudimin e mjetit janë ndodhur para një “surprize”, pasi targa e mjetit të tyre nuk rezulton fare në sistem. Gazeta ka zbuluar me dhjetëra raste kur qytetarët, edhe pse me targa të rregullta në mjet, figurojnë jashtë sistemit online. Të gjendur përpara kësaj situate me pronarë e automjeteve nuk kanë bërë kolaudimin e makinës dhe janë detyruar të ribëjnë edhe njëherë dokumentet e targave.
E gjitha kjo situatë kaotike ka ndodhur për shkak të moshedhjes në sistem të të dhënave për makinat që në bazë të të gjitha rregullave kanë paguar dhe kryer normalisht procedurat e targimit. Një situatë të tillë e pranoi dje edhe drejtori i Transportit Rrugor. Ky kaos i shtohet edhe rreth 26 mijë rasteve të tjera, kur për shkak jo të gabimit në sistem, por të shkrimit gabim të emrit, këta shoferë duhet t’i ribëjnë edhe njëherë dokumentet.
Një problematikë të tillë ku disa targa mjetesh rezultojnë të paregjistruara apo të çregjistruara gabimisht pranohet edhe nga Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor.
Drejtori i saj, Arben Pinari, tha për gazetën se ekzistojnë disa raste, por numri i tyre është i kufizuar. Kjo, sipas tij, nuk ka të bëjë me ndonjë problem në database apo sistemin mbi të cilin është ndërtuar regjistri i mjeteve në vend. “Jam në dijeni të një problematike të tillë për mjete që nuk figurojnë, por problemi është në të dy krahët edhe te gabimi njerëzor te punonjësit tanë, por edhe te gabimi i qytetarëve. Ne kemi konstatuar që gjatë periudhës së amnistisë fiskale, për shkak të dyndjes që patëm, janë disa të dhëna që nuk janë hedhur, çka ka sjellë edhe rastet për të cilat ju po flisni, por që janë të kufizuara.