DURRES– Dhuna në familje, tre raste të reja në Durrës. Motra rreh motrën, djali babain dhe kunati kunatën. Vala e dhunës në familje duket se nuk ka të ndalur dhe çdo ditë regjistrohen raste të reja që rrisin në mënyrë të frikshme statistikat e këtij fenomeni.

Tre persona të dhunuar nga të afërm të tyre kanë depozituar në policinë e qarkut Durrës denoncimin e tyre dhe kanë kërkuar lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme duke iu drejtuar gjykatës së Durrësit përmes kërkesë padisë.

Në njoftimin për shtyp të policisë së Durrësit të bie në sy se të tre rastet janë regjistruar brenda një dite dhe përfshijnë persona shumë të afërt në rrethin familjar.

Një 48 vjeçare i është drejtuar plicisë për të kërkuar ndihmë pas dhunës sistematike fizike dhe psikologjike që ushtronte ndaj saj motra e saj, shtetasja A.S., 51 vjeç nga Durrësi. Duket se pas dhunës së vazhdueshme 48 vjeçarja nuk ka duruar më, por ka paditur në polici motrën e saj.

Të njëjtin veprim ka kryer edhe një i moshuar 71 vjeçar nga Durrësi i cili ka pranuar se dhunohej vazhdimisht nga djali i tij, 41 vjeçari L.Ll.

Ndërkohë për të mbyllur denoncimet e regjistruara në prag të vigjiljes së Krishtlindjes një 41 vjeçare ka paditur pranë forcave të rendit kunatin e saj 37 vjeç, i cili e dhunonte prej një kohe të gjatë. Sipas 41 vjeçares, kunati i saj, B.S. në raste të ndryshme kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj duke e bërë të padurueshëm tolerimin e mëtejshëm të dhunimit.