TIRANE – Arkitektët shqiptarë do të bashkëpunojnë me Bashkinë e Tiranës dhe institucionet e tjera për Planin Urbanistik të kryeqytetit. Kjo me qëllim hartimin e një plani që t’u përgjigjet nevojave të zhvillimit të Tiranës, si metropoli i Shqipërisë.
“Si rezultat i planifikimit dhe bashkëpunimit me Ministrinë e Rregullimit të Territorit, Ministrinë e Kulturës dhe Institutin e Monumenteve, me qeverinë dhe Bashkinë e Tiranës ne besoj do të ndikojmë që vendimet të merren sa më të drejta. Vendimmarrësit kanë punën e tyre, ne si profesionistë, si intelektualë dhe si njerëz që duhet të kemi zë në këtë zhvillim të Shqipërisë, do ta themi me siguri fjalën tonë. Garanci është prurja e re që është në kryesinë e shoqatës dhe ndërgjegjia e arkitektëve, të cilët sa vijnë dhe shtohen”,- deklaroi kryetari i Shoqatës së Arkitektëve, Agron Jano.
Bashkëpunimi me institucionet shtetërore dhe pushtetin vendor, jo vetëm për Planin Urbanistik, por edhe për projekte të tjera u theksua edhe gjatë Asamblesë Kombëtare të Arkitektëve të Shqipërisë.





