DURRES– Mbyllen tre pika shumice pas konstatimit se kushtet higjeno-sanitare në to lënë shumë për të dëshiruar. Madje në këto pika janë regjistruar edhe raste flagrante, pasi inspektorët e kontrollit ushqimor kanë konstatuar praninë e minjve në raftet e ushqimeve.
Drejtori i AKU-së në Durrës, Gëzim Ylli, bën të ditur se objekt i kontrollit ka qenë origjina e produktit, etiketat në gjuhën shqipe, data e skadencës dhe kushtet higjeno-sanitare të ambienteve ku tregtohen produktet ushqimore.
Kontrollet janë intensifikuar sidomos ditët e fundit, pasi në prag të festave të fundvitit konsumatorët janë të prirur të konsumojnë më shumë produkte ushqimore e kjo periudhë shfrytëzohet nga disa tregtarë abuzivë që spekullojnë me çmimet dhe cilësinë.
“Kemi pezulluar aktivitetin e 3 subjekteve që nuk kanë plotësuar standartet e kërkuara higjeno-sanitare sipas ligjit. Subjekteve që nuk u funksionon plani i higjenizimit dhe hidratizimit janë objekt i bllokimit të aktivitetit të tyre. Në tre subjekte produktet ushqimore ishin të ngacmuara nga brejtësit, minjtë. AKU në Durrës ka ngritur disa grupe kontrolli, të cilat janë shpërndarë në supermarkete, tregjet e hapura, në restorante etj. për rritjen e sigurisë ushqimore për të gjithë konsumatorët”,- tha Ylli.
Drejtoria rajonale e AKU-së në bashkëpunim me institucionin e prefektit ka hartuar një plan masash për kontrollin e subjekteve kryesore si markete, supermarkete, pikat e tregtimit me shumicë, bulmetoret, pastiçeritë, tregjet e hapura dhe subjektet importuese. Edhe ditën e sotme, që është festa e Krishtlindjes ekipet e AKU-së kanë qenë në terren duke ndëshkuar subjektet që nuk plotësonin standartet e kërkuara për sigurinë ushqimore.





