VATIKAN– Papa Benedikti XVI u është drejtuar besimtarëve të krishterë në mbarë botën dhe atyre që ishin mbledhur në sheshin Shën Pjetër me urimin “Gëzuar Krishtlindjen”. Ashtu si çdo vit tjetër ati i shenjtë ka dhënë mesazhin tradicional Urbi et Orbi në sheshin kryesor të Vatikanit.
Në mesazhin e tij ka apeluar për zgjidhje politike për konfliktet e armatosura, duke iu referuar veçanërisht atij në Siri dhe konfliktit mes Izraelit dhe Palestinës, për respektimin e hirearkisë së vlerave dhe ringjalljen e vullnetit për solidaritet mes njerëzve.
“Tek Jezusi janë takuar dashuria dhe e vërteta, drejtësia dhe paqja. E vërteta ka ardhur nga toka ndërsa drejtësia është shfaqur nga qielli. Po, është një tokë e mirë, një tokë e shëndetshme, e lirë nga çdo egoizëm dhe nga çdo mbyllje. Kjo tokë ekziston edhe sot, në vitin 2012, prandaj ka shpresë në botë, një shpresë besimplotë edhe në momentet dhe situatat më të vështira”,- është shprehur Papa.
Më pas ati i shenjtë i është drejtuar besimtarëve në 65 gjuhë të botës, mes të cilave dhe gjuhën shqipe.
“Për shumë vjet Krishtlindjen” ka thënë papa Benedikti XVI duke uruar në shqip besimtarët e krishterë shqiptarë kudo që janë.
Mesazhi i përvitshëm i atit të shenjtë u dha menjëherë pas meshës së Krishtlindjes, mbajtur në bazilikën e Vatikanit.





