SIRI- Dhjetëra vetë janë vrarë nga një sulm ajror në një furrë buke në qendër të provincës siriane Hama. Aktivistët thonë se numri i viktimave arrin deri në 200, por për momentin është e vështirë të përcaktohet një bilanc i saktë pasi bëhet fjalë për një sulm të ndodhur rreth 30 minuta më parë në qytetin Halfaya. Po sipas aktivistëve sulmi u krye nga avionët e forcave qeveritare.
Ndërkohë, sipas BBC, janë mbi 40 viktima në këtë incident të fundit të dhunës në Siri. Dëshmitarët thonë se avionët Mig të regjimit goditën një furrë bukë ku njerëzit ishin vendosur në rradhë për të blerë bukë. Pamjet e agjencisë Reuters tregojnë pamje të rënda rrugësh të përgjakura nga viktimat dhe një ndërtesë të shkatërruar pjesërisht.
Ndërkohë shihen njerëzit, ndërsa largojnë trupa të pajetë të viktimave. Sulmi i sotëm ndodh vetëm 5 ditë pasi rebelët e shpallën këtë qytet një zonë të çliruar pasi morën kontrollin e pozicioneve të ushtrise siriane.