DURRES– Tetë mijë pasagjerë kanë mbërritur brenda ditës së dielë nga porti i Durrësit. Afrimi i festave të fundvitit ka bërë të rritet ndjeshëm numri i pasagjerëve që vijnë nga vende të ndryshme të Evropës.

Fluksi që sipas autoriteteve të portit është i lartë, ka shkaktuar dhe një lloj vonese në nisjen e trageteve. Pasagjerë kanë zbritur në port me automjetet e tyre e autobuzë, ndërsa një pjesë janë këmbësorë.

Gjashtë tragetet që kanë transportuar pasagjerët janë nisur menjëherë drejt porteve italiane, pikërisht për shkak të një numri të konsiderueshëm njerëzish që kanë prenotuar të rikthehen në Shqipëri për festat e fundvitit.

Për të lehtësuar procedurat, sportelet e përpunimit të dokumentave dhe bagazheve të pasagjerëve dhe automjeteve janë dyfishuar.