E kam planin se si do të bëhem Kryeministër. Hashim Thaçi e ka dëgjuar me korrektësi idenë time dhe do të ulemi sërish për të biseduar. Nëse marrëveshja ndërmjet AAK’së dhe PDK’së e përfshin postin e Presidentit, ne do ta shqyrtojmë atë. Procesi gjyqësor në Hagë, që zgjati më shumë se shtatë vjet, ka lënë shenja tek unë, por nuk është pengesë në rrugën time në politike. Ramush Haradinaj flet për Express.
Ish – Kryeministri Ramush Haradinaj po shfaqet i kursyer, teksa po e elaboron skenarin për të udhëhequr një koalicion mes PDK’së dhe AAK’së.
Ai e ka të qartë se rikonfigurimi i pushtetit që mund të ndodhë gjatë javëve të ardhshme mund të përfshijë edhe ndërrimin e Presidentes aktuale, pavarësisht se këtë e elaboron kujdesshëm.
Nëse Haradinaj gjen gjuhë të përbashkët me Hashim Thaçin, ky i fundit mund ta marrë postin e Presidentit duke e larguar Atifete Jahjagën. Por, kreu i AAK’së lë të kuptohet se me postin e Shefit të Shtetit duhet të merret Lideri i PDK’së.
Këtë punë dy aktorët politikë e kanë diskutuar të mërkurën e kaluar gjatë një darke.
“Në rast se ka implikim që unë për me marrë udhëheqjen e Qeverisë, atëherë duhet me ba edhe ndërhyrje të tjera institucionale sikur rasti i institucionit të Presidentit, atëherë duhet me e rishqyrtu se a mundë të bëhet, si bëhet dhe çka vjen”, shprehet Haradinaj.
Gjatë intervistës, ai përmend 43 herë fjalën “me punu” dhe asnjëherë ndonjë akuzë për krim e korrupsion.
E për krejt këto zhvillime jo fort demokratike që mund të përsëriten me ndërrime në udhëheqjen e shtetit sikur kishte ndodhur në vitin 2006, Haradinaj ka një përgjigje.
“Është një realpolitikë e imja për gjendjen e tashme”.
Express: Si do ta mbajë në mend Ramush Haradinaj Hagën. A keni menduar ndonjëherë se dikush ua ka bërë ndonjë padrejtësi që u kushtoi me 7 vjet të jetës tuaj, pasi ju në fund u liruat. A po keni ndonjë opinion tjetër ?
R. Haradinaj: Jo, vetvetiu është padrejtësi. Edhe jo vetëm shtatë vjet, por procesi ka zgjat më shumë. Edhe pos që më është marrë jeta ime personale e familjare, e drejta ime për punë, në fakt unë jam hequr edhe prej përgjegjësive. Jam hequr prej përgjegjësisë së Kryetarit të Qeverisë të vendit tim në kohën kur kam synuar me punu. E dyta, unë prej kohës prej se e udhëheq Aleancën, gjysmën e kohës nuk kam mundur me i ushtru funksionet e mia në parti. Ndërsa rigjykimi e rrit këtë shkallë…. dhe është e çuditshme gjithçka. Nuk jam ndier mirë gjatë gjithë këtij procesi me faktin se gjitha këto po ndodhin me ne.
Express: Është folur shumë për gjakftohtësinë tuaj gjatë gjykimit në Hagë. Megjithatë, një proces kaq i gjatë sigurisht se nuk ju ka lënë emocionalisht kaq neutral?
R. Haradinaj: Po, me të thënë të drejtën unë e kam kuptuar se çka po ndodh, e kam lexu e s’e e kam pranu. Por, e kam lexuar dhe e kam parë se çka po ndodh. Natyra ime është që përballja me ato që i ke para vetes bëhet me koncentrim. Kjo s’do të thotë që ky proces në njëfarë mënyre nuk ka lënë shenja në mua. Por, mendoj se në njëfarë mënyre e kam përballuar në mënyrën e duhur, aq sa njeriu mundet me përballu. Jo vetëm kaq. Mendoj se është një lloj shkolle edhe kjo. Përballja me ligjin ndërkombëtar, njohja me gjithë ato ndërlidhshmëri të ligjit ndërkombëtar, me ligjin nacional dhe shumë aspekte tjera është njëfarë edukimi. Ndryshe thënë, një kandidat do të mundte të doktoronte në ligj në rast se gjithë këto vite ish përballë me ligjin.
Express: Keni bërë shumë deklarata pas kthimit, por pyetja qendrore mbetet tema e koalicionit. Shumëkush po e sheh si të pamundur që ju të bëheni Kryeministër…
R. Haradinaj: Po i mbetem besnik asaj që thashë edhe kur erdha, që dëshiroj më fol në punë. Më pak fjalë, më shumë punë. Po, për me fol në punë, unë jam ofruar me fillu me punu, me marrë përgjegjësi, pra koalicionin që po flasim. Kjo ka të bëjë më logjikën time të tashme se ka humb, si me thanë, ma fytyra me fol me fjalë. Mjaft është folur. Mjaft është thënë. Mjaft deklarata janë bërë në Kosovë. Po mendoj se e vetmja gjë që tani vlen është me mujt njerëzit me punu konkret, me ndryshu gjendjen në vend. Nuk mjafton më me vazhdu rrugëtimin e deklarimeve. Jemi dëshmitarë, nëse e përcjellim jetën institucionale, non-stop flitet për një organizëm, për një mekanizëm, për agjenci, se duhet me e ba këtë apo atë. Mendoj se për mu, po ju them sinqertë, nuk mund të hyj në këtë trend. Nuk mundem me u ba pjesë vetëm e deklarimeve. Unë po du me fillu me punu. Pra, edhe konkret. E kam marrë punën që më takon dhe funksionet e mia në Aleancë. Por, po ashtu konkret jam ofru me marrë udhëheqjen e Qeverisë së vendit. Nëse është e mundshme që nga dita e sotme ose nesër. Por, jo me humb ditë, jo me humb kohë.