TIRANE – Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka ndarë dje në Tiranë çmimet "Vangjush Gambeta" për raportin më të mirë ekonomik të botuar në Shqipëri dhe në Kosovë gjatë vitit 2012-të si dhe çmimet e karrierës në gazetari.
Fituesit e çmimeve ishin Blerina Hoxha nga gazeta "MAPO", Violeta Shqalsi nga televizioni "SCAN" dhe gazetari kosovar Ibrahim Rexhepi – analist i ekonomisë në gazetën "Express".
Ndërkaq, çmimet e karrierës këtë vit ju akorduan – in memoriam – analistit të spikatur të medias Ardian Klosi, gazetarit të njohur Alfons Gurashi si edhe analistit Shaban Murati, i cili vuri në pah nevojën e konsiderimit të historisë së medias shqiptare dhe njerëzve të saj.
“Me analizat e veta, me tekstet e një cilësie të lartë publicistikë, analisti Murati konsiderohet njohës i shkëlqyer i zhvillimeve diplomatike dhe gjeopolitike në rajonin ballkanik”, – tha Aleksandër Çipa, kreu i Unionit të Gazetarëve.
Publicistika dhe tekstet e tij janë të përcjella për disa dekada në shumicën e të përditshmeve shqiptare në krejt hapësirën, si dhe në shtypin botëror. Murati është prej 12 vitesh analist i “Gazeta Shqiptare” për çështjet ndërkombëtare.
Në takim, ishin të pranishëm Përparim Tushaj, drejtues i JTI Albania; Zv.Ministri i Ekonomisë z.Neritan Alibali dhe Kryetarja e Grupit Parlamentar të Medias, znj. Valentina Leskaj, që përgëzuan fituesit dhe të gjithë konkurrentët e këtij konkursi.