DURRES – Shirat e këtyre ditëve kanë shkaktuar problem në të gjitha zonat e rrethit të Durrësit, duke filluar me përmbytjet e rreth 300 ha tokë bujqësore në grykëderdhjen e lumit Ishëm, rrëshqitje të tre banesave në komunën e Gjepalajt, përmbytje në plazh, ish Kënetë si dhe në Katundin e Ri. Por këto probleme nuk kanë qenë vetëm periferike, pasi ato kanë pasur ndikimin e tyre edhe në Kodër Vilë. Shirat e rëna janë shoqëruar me rrëshqitje të reja, të cilat janë të kahershme.
Pak ditë më parë, përfaqësues të CEZ-it, deklaruan se si rezultat i rrëshqitjeve ka pasur dëmtime edhe në linja dhe si rezultat priteshin ndërprerje të energjisë elektrike.
Po situata është edhe më e thellë. Në Kodër Vilë vazhdojnë ende ndërtimet pa leje. Themelet e reja që janë hapur dhe punime të ndryshme në strukturat e tokës kanë sjellë si pasojë edhe krijimin e terreneve të përshtatshme për rrëshqitje, pasi ndërpritet edhe rrjedha e lirë e ujërave. Megjithëse zona e Kodër Vilës në qytetin e Durrësit prej vitesh me problematikat që ka herë pas here, po i bie këmbanave të alarmit, ajo vazhdon të mbetet mjaft shqetësuese dhe me gjithë problematikat e saja ende në të nuk është vënë dorë për ta “kuruar” seriozisht.
Ndërtimet pa leje vazhdojnë
Politika ka debatuar, ka hartuar plane dhe ka dhënë udhëzime, ndërsa ndërtimet pa leje kanë vazhduar që të mbijnë si kërpudha betoni, të pashqetësuara nga askush. Me të drejtë prefekti i qarkut Durrës, Genc Alizoti, duke kritikuar bashkinë që ka lejuar të degradojë gjendja, ka theksuar se bashkisë nuk i nevojiten fonde për të mos lejuar ndërtimet pa leje.
Kjo zonë dikur nga më piktoresket e qytetit bregdetar, sot gjendet para një rreziku të vazhdueshëm nga rrëshqitjet e tokës. Ndërtimi i shumë pallateve si dhe shtëpive, por edhe mungesa e investimeve në këtë zonë ka bërë që rrëshqitjet të rrezikojnë seriozisht ndërtesat e shumta.
Strukturat argjilore dhe rrëshqitja e ujërave gjatë rrebesheve, por edhe ato ujëra të përdorimit të përditshëm kanë bërë që rrëshqitjet masive të jenë prezente.
Kjo është shoqëruar edhe me shkatërrimin e insfrastrukturës rrugore, e cila është pasqyruar në faktin se edhe rruga e vetme që lidh Kodër Vilën me lagjet e tjera të qytetit, nga rrëshqitjet dhe nga mjetet e rënda që kanë kaluar në të, të ngushtohet aq shumë, sa në afërsi të Vilës së Zogut rruga të degradojë deri në një gjerësi vetëm dy metra.
Kjo situatë jo vetëm që nuk lejon parakalim mjetesh, por ka bërë që edhe koshat e plehrave të grumbullohen për të gjithë lagjen përtej zonës dhe nga largësia plehrat përfundojnë në rrëpirat e Kodër Vilës.
Në rrezik banorët dhe bizneset rrëzë Kodrës
Sipas Alizotit, problemi i Kodër Vilës është kthyer në gangrenë për Durrësin, sidomos në stinën e dimrit në kohërat me shi, duke rrezikuar jo vetëm banorët e ndërtesat e ndërtuara mbi kodër dhe rrëzë saj, por edhe bizneset që operojnë përgjatë zonës së Currilave. Për zgjidhjen e problemit, Prefekti ka deklaruar se para dy vitesh i ka kërkuar Bashkisë së Durrësit që të ndërhyjë. “Nëse muret mbrojtëse apo pyllëzimi i zonës kërkon fonde, ndalimi i ndërtimeve pa leje jo. Pasi duhet vetëm vullnet për të penguar ndërtimet, të cilat rrezikojnë jo vetëm objektet, por edhe zonën përreth”,- tha Alizoti.
Për t’i dhënë një zgjidhje konkrete situatës, Alizoti garanton se do t’i kërkojë bashkisë akordimin e një fondi që zona e Kodër Vilës të mos rrezikojë më, ndërsa pohon se do të kërkohet edhe ndihma e qeverisë për lëvrimin e fondeve.
Marre me shkurtime nga gazeta TELEGRAF





