TIRANE – Kompania çeke CEZ reagon pas deklaratës së një dite më parë nga Ministria e Ekonomisë mbi bllokimin e shitjes së aksioneve të CEZ-it. Qendra në Pragë e kësaj kompanie tha se duhet të zgjidhë mosmarrëveshjet me qeverinë shqiptare, për të shitur filialin e saj të shpërndarjes në Shqipëri, por nuk njeh pretendimet se ajo duhet të paguajë për dëmin e shkaktuar në formë kompensimi. 

“Qeveria shqiptare nuk ka sqaruar se ku konkretisht është shkaktuar borxhi i supozuar prej 1 miliard dollarë, për të cilën ajo duhet kompensuar.” – u shpreh Barbara Pulpanova, zëdhënësja e CEZ-it. 

“Ne jemi të vetëdijshëm se pëlqimi i institucioneve shtetërore është i domosdoshëm për një shitje të mundshme, dhe natyrisht ne nuk do të përpiqemi të shesim kompaninë nëse nuk marrim pëlqimin” -tha zonja Puplapnova. 

Zëdhënësja e CEZ në Pragë nuk pranoi të komentojë akuzat e ardhura nga ana e qeverisë se kompania blen me shumicë energjinë elektrike me një çmim 18 euro për megavat/orë dhe e shet atë për 80 euro megavat/ore. 

Ndërkohë CEZ vazhdimisht ka deklaruar të kundërtën, se për shkak të kushteve ka qenë e detyruar të blejë energjinë me çmim me të lartë se ajo që është në gjendje të shesë, duke pësuar humbje të konsiderueshme financiare. Zëdhënësja Pulpanova tha se të gjitha këto pretendime të reja vetëm politizojnë situatën tashmë të brishtë. 

Ministria shqiptare e Energjetikes, e cila ka 24% të aksioneve në kompani, kundërshton shitjen e saj nga ana e CEZ-it, ndërkohë që ERE ka nisur procedurat për heqjen e licencës së CEZ. METE pretendon se CEZ nuk ka përmbushur detyrimet kontraktuale, duke shkaktuar 1 miliard dollarë në dëme. 

                                          Marrë nga Balkanweb