Kostoja e naftës dizel gjatë mandatit të dytë të Donald Trump ka tejkaluar mesataren e regjistruar gjatë presidencës së Joe Biden, ndërsa rritja e inflacionit e nxitur nga lufta me Iranin po kthehet në një sfidë gjithnjë e më të madhe për Shtëpinë e Bardhë.

Sipas llogaritjeve të Financial Times, bazuar në të dhënat e Administratës Amerikane të Informacionit për Energjinë (EIA), çmimi mesatar i një gallon dizel që nga rikthimi i Trump në detyrë në janar 2025 ka arritur në 4.09 dollarë. Gjatë katër viteve të presidencës së Bidenit, mesatarja ishte 4.08 dollarë për gallon, një periudhë kur çmimet u rritën ndjeshëm pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia.

Rritja e çmimit të dizelit, i konsideruar si “gjaku” i ekonomisë amerikane për shkak të rolit të tij kyç në transport dhe bujqësi, po shton presionin mbi administratën Trump, ndërsa votuesit shprehin pakënaqësi për kostot e larta të energjisë në prag të zgjedhjeve të ndërmjetme të nëntorit.

“Kur rriten çmimet e energjisë, njerëzit fajësojnë gjithmonë qeverinë në pushtet. Dizeli është karburanti i padukshëm që përdor pothuajse e gjithë ekonomia”, tha Jeff Colgan, profesor i shkencave politike në Universitetin Brown.

Sipas tij, shumica dërrmuese e mallrave të prodhuara në SHBA-të transportohen me mjete që funksionojnë me dizel, ndaj çdo rritje e çmimit reflektohet në zinxhirin e furnizimit dhe në koston e jetesës.

Një tjetër tregues i presionit inflacionist është rritja e normës së interesit për kreditë hipotekore 30-vjeçare në 6.66%, niveli më i lartë i një viti, pasi investitorët dyshojnë se Rezerva Federale do ta ketë të vështirë të frenojë valën e re të inflacionit.

Çmimet e karburanteve në SHBA-të u rritën ndjeshëm pasi së bashku me Izraelin nisën fushatën ushtarake kundër Iranit më 28 shkurt, ndërsa Teherani bllokoi praktikisht Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin global të naftës.

Sipas AAA, çmimi i dizelit është rritur me 43%, duke arritur në 5.37 dollarë për gallon, ndërsa benzina është shtrenjtuar me 37%, në 4.09 dollarë për gallon.

Megjithëse çmimi i naftës bruto në tregjet ndërkombëtare ka rënë nën 80 dollarë për fuçi, pas sinjaleve se mund të arrihet një marrëveshje për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, analistët paralajmërojnë se çmimi i dizelit mund të mbetet i lartë për më gjatë.

Sipas tyre, rezervat e ulëta, kapacitetet e kufizuara të rafinimit dhe ndalimi i eksporteve të naftës nga Rusia deri në vitin 2027 po mbajnë tregun nën presion.

Rafineritë amerikane po punojnë pranë kapacitetit maksimal për të përfituar nga marzhet e larta të fitimit. Kompania Marathon Petroleum raportoi një trefishim të fitimeve në tremujorin e dytë të vitit, falë rritjes së fitimit për çdo fuçi nafte të përpunuar.

Analistët parashikojnë se me përfundimin e sezonit veror të udhëtimeve do të bjerë kërkesa për benzinë, por konsumi i dizelit do të rritet për shkak të përdorimit të tij për ngrohje, duke e bërë tregun edhe më të ndjeshëm ndaj ndërprerjeve të furnizimit.

“Dizeli është problemi kryesor. Tregu i benzinës po stabilizohet, por dizeli mbetet nën presion”, tha analisti i pavarur Tom Kloza, duke paralajmëruar se mungesat mund të shfaqen në tregjet bregdetare të SHBA-ve, Evropës dhe Azisë.

Ndërkohë, çmimi mesatar i benzinës gjatë mandatit të dytë të Trump është 3.34 dollarë për gallon, krahasuar me 3.46 dollarë gjatë presidencës së Bidenit, 2.48 dollarë gjatë mandatit të parë të Trump dhe 2.97 dollarë gjatë administratës Obama.

Universiteti Brown vlerëson se çdo familje amerikane ka shpenzuar mbi 600 dollarë më shumë për benzinë dhe dizel që nga shpërthimi i konfliktit me Iranin.

Donald Trump u rizgjodh pjesërisht falë premtimit për të ulur inflacionin, por vetëm tre muaj para zgjedhjeve të ndërmjetme, shumë votues e fajësojnë atë për çmimet e larta të karburanteve.

Një sondazh i AP-NORC i publikuar javën e kaluar tregon se miratimi për Trump ka rënë në 33%, ndërsa katër në dhjetë votues e konsiderojnë koston e karburantit një burim të madh stresi. Mbi 70% e të anketuarve thanë se është e rëndësishme që SHBA-të të shmangin çdo rritje të mëtejshme të çmimeve të naftës dhe gazit.

Presidenti amerikan ka kritikuar kompanitë e mëdha të naftës për fitimet rekord të realizuara falë çmimeve të larta. ExxonMobil dhe Chevron raportuan javën e kaluar fitime tremujore prej 14.5 miliardë dhe 12.1 miliardë dollarësh.

“Nuk më pëlqen kjo situatë. Ata po fitojnë shumë para për shkak të mungesës së furnizimit. Duhet t’ua kthejnë një pjesë qytetarëve dhe të ulin çmimet për konsumatorët”, deklaroi Trump.

Analistët nuk përjashtojnë mundësinë që presidenti të ndërmarrë masa të forta për të frenuar rritjen e çmimeve, përfshirë kufizime të eksporteve të naftës dhe produkteve të rafinuara, nëse situata vazhdon të përkeqësohet.