TIRANË-Departamenti Amerikan i Shtetit përfundoi me sukses një program prej 14.5 milionë dollarësh për të mbështetur Shqipërinë në punën e saj për të pastruar me siguri vendin e shpërthimit vdekjeprurës të municioneve në Gërdec, në vitin 2008. Programi hoqi 3,085 ton municione të pashpërthyera dhe 146,500 copë municione të rrezikshme.
Shpërthimi i 15 marsit 2008 në një ish-bazë ushtarake në Gërdec çoi në vdekjen e 26 personave dhe mbi 300 të plagosur, si dhe detyroi zhvendosjen e mbi 700 familjeve nga shtëpitë e tyre. Për shkak të shpërthimit, municionet e pashpërthyera arritën kilometra larg epiqendrës së shpërthimit, duke shkaktuar rreziqe afatgjata për ekipet e ndihmës dhe duke ndërlikuar përpjekjet e rikuperimit.
Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, kjo tragjedi vë në dukje sfidat që paraqesin municione të vjetra të paqëndrueshme të kohës së Luftës së Ftohtë si dhe nevojën që qeveritë të mbajnë dhe të largojnë si duhet inventaret e armëve të tepërta.
Me kërkesë të autoriteteve shqiptare, Shtetet e Bashkuara ofruan ndihmë dhe organizuan një vlerësim ekspertësh të pasuar nga pastrimi i predhave të pashpërthyera të artilerisë, predhave të mortajave dhe municioneve të tjera.
Për afro pesë vjet, ekspertë teknikë nga organizatat ITF, Rritja e Sigurisë Njerëzore, Sterling International, dhe EOD Solutions, me financim nga Zyra e Largimit dhe Pakësimit të Armëve në Byronë e Çështjeve Politiko-Ushtarake trajnuan dhe mbikëqyrën punëtorë shqiptarë vendas që pastruan një sipërfaqe prej 105 hektarësh me municione të pashpërthyera deri në 8 metra thellësi, përfshi krateret gjigande të shkaktuara nga shpërthimet masive.
Ekipet rikuperuan mbi 734 tonë metal nga municionet dhe mbeturina të tjera nga shpërthimi dhe ia kthyen skrapin, me vlerë miliona dollarë, Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë.
Gjithashtu, mijëra dollarë pajisje të përdorura në Gërdec po u dhurohen nga Shtetet e Bashkuara, Zyrës për Bashkërendimin e Minave dhe Municioneve për të vazhduar pastrimin në ish-baza të tjera ushtarake në mbarë vendin. Pjesë të Gërdecit mbeten të ndotura dhe, si në çdo incident tjetër të këtyre përmasave, ka mundësi që eksplozivët të vazhdojnë të gjenden në vendin e shpërthimit gjatë së ardhmes së parashikueshme, teksa municione të varrosura thellë dalin në sipërfaqe.
Prej vitit 2000, SHBA ka ndihmuar përpjekjet e qeverisë shqiptare për të shkatërruar stoqet e stërmëdha në armë dhe municione të kohës së komunizmit. Përpjekjet fillestare të mbështetjes humanitare u përqendruan në pastrimin e minave tokësore dhe ndihmën për të mbijetuarit e minave, pasuar nga programe për shkatërrimin e armëve të vogla e të lehta në vitin 2001.
Deri në vitin 2009, të tjera programe për të larguar të gjitha MANPAD-et dhe armët kimike e lejuan qeverinë shqiptare ta deklaronte Shqipërinë të pastruar nga minat dhe armët kimike. Përveç pastrimit në Gërdec, qeveria e SHBA-së aktualisht po ndihmon programin e Shqipërisë për demilitarizimin nëpërmjet një granti për Agjencinë e Mbështetjes së NATO-s (NSPA).





